DURRËS, 3 dhjetor 2013 – Pa u mbushur mirë viti pas marrjes së vërtetimit të pronësisë, Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit, nxjerr në shitje ullishten e një shtetasi që si duket nuk ka arritur të shlyejë kredinë. Subjekti financiar jobankar “Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit FAF-Sha” njofton se më 23 dhjetor 2013, do të zhvillojë në Tiranë, në selinë e saj një ankand të hapur për shitjen e një ullishteje me sipërfaqe 4 000 m katrorë në fshatin si një rrip i ngushtë, Karreç, të komunës së Maminasit në rrethin e Durrësit. Ullishtja është pasuria me nr. 21/3, volumi 02, faqe 193, zona kadastrale 2101, me certifikatë për vërtetim pronësie nr. 726446, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme Durrës më 27 dhjetor 2012. Për të mbaruar punë sa më shpejt, shitësi që është subjekti financiar jobankar i ka vënë ullishtes një vlera fillestare prej 3 201 630 lekë, që i bie të ketë një çmim 800.4 lekë metri katror.

Info

Komuna e Maminasit përbëhet nga 8 fshatra: Maminas, Karreç, Vlashaj, Karpen, Bodinak, Metallë, Bilalas, Rrubjekë. Ndodhet në kufirin midis Tiranës dhe Durrësit. Kufizohet: në lindje me bashkinë Vorë, në perëndim me bashkinë Sukth dhe komunën Xhafzotaj, në veri me bashkinë Manzë, në jug me komunën  Gjepalaj. Ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 29 km² dhe popullsi rreth 7 mijë banorë. Ndodhet 13 km larg portit të Durrësit, 20 km larg plazhit të Gjirit të Lalëzit, 14 km larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, 21 km nga ujërat termale në Bilaj të Krujës. 7 për qind e popullsisë (1 në çdo 14 banorë) është me arsim të lartë. Në zonë janë të zhvilluara vreshtaria, kultivimi i ullirit, pemëtaria, foragjeret etj. Toka bujqësore zë një sipërfaqe prej 1949.9 prej të cilave toka ara 1515 ha, pemishte 205 ha ,vreshta 23 ha, ullishte 206 ha dhe 425 ha pyje, të cilët janë kryesisht dushku, lisi, frashri, akacieje, pishe, plepi të bardhë, dhe shkurre të tilla si marre, shqopë, shkozë. Po ashtu ka një biznes të zhvilluar dhe, për pasojë, një nivel të ulët varfërie.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/