Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, mamografët e lëvizshëm ndaluan sot në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku kryen ekzaminimin e mamografisë falas për gratë e punësuara në fasoneritë e zonës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e pranishme në këtë depistim, u ndal te rëndësia e kontrollit të gjirit për çdo vajzë dhe grua, pasi shpëton jetën!

Ministrja dha apelin për çdo femër për të kryer depistimin e hershëm e për të fituar betejën me kancerin e gjirit, i cili sipas saj shënon 500 raste në vit në vendin tonë.

Manastirliu bëri edhe një apel:

“Gjej rastin t’ju bëj thirrje të gjithë grave dhe vajzave, të gjejnë gjysëm ore kohë për të kryer këtë ekzaminim në spitalet dhe poliklinikat tona, përgjatë gjithë muajit, si paradite ashtu edhe në oraret e pasdites”.

Ministrja Manasterliu u shpreh se mamografët e lëvizshëm do të shkojnë aty ku janë nevojat, duke u dhënë mundësinë grave dhe vajzave të diagnostikohen në kohë.

Edhe gratë kanë qenë mjaft të interesuara për të kryer ekzaminimin, duke ju bashkuar nismës dhe duke dhënë edhe ato apelin e kësaj fushate. Mamografët e lëvizshëm pas Durrësit, do të ofrojnë shërbim në Fier, Gjirokastër, Përmet etj. 

Bazuar në një analizë të standartizuar të vendeve të Mesdheut, probabiliteti për kapjen e hershme dhe trajtimin e kancerit të gjirit, sipas raportit të vdekshmërisë me incidencën, është 35% (vdesin rreth 35 në 100 raste të diagnostikuara).

Ky tregues, megjithëse është më i mirë se në shumë vende të Mesdheur Lindor, mbetet më i keq se në vendet mesdhetare të BE-së (19%).

Sa i takon trajtimit me barna, në 4 vite (2013-2017) janë dyfishuar fondet për trajtimin e kancerit të gjirit, nga 75 milion lekë, në 198 milion. Sektori i shëndetësisë shpenzon në vit 337 milion lekë për trajtimin e kancerit të gjirit.

Ekzaminimet

Mamografia ofrohet në spitalin rajonal Shkoder, poliklinikën Shkodër, spitalin rajonal Elbasan, poliklinikën Korçë, poliklinikën qendrore Tiranë, spitalin obsetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Gjatë muajit tetor shërbimi do të ofrohet edhe në oraret e pasdites.

Dy mamografët e lëvizshëm kryejmë mesatarisht 5 mijë ekzaminime në vit, duke rritur me rreth 40% numrin e ekzaminimeve të kryera në rang vendi dhe duke e ofruar shërbimin edhe aty ku nuk është i mbuluar.

K.H.