Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka folur sot në Kuvend për programet e qeverisë në mbështetje të familjeve në nevojë.
Sa i takon përcaktimit të minimumit jetik, Manastirliu tha se nuk ka një uniformizim mes vendeve të Europës për këtë standard.
“Përcaktimi zyrtar i minimumit jetik merr përkufizime të ndryshme në vende të ndryshme. Në terësi edhe pse ka ngjashmëri mes vendeve për përcaktimin e këtij standardi nuk ka një uniformizim. Shumë vende kanë programe sociale që adresojnë varfërinë, përshembull Mbretëria e Bashkuar, Gjermania po ashtu. Franca ka një pagë minimale, por se ka të përcaktuar ligjërisht minimumin jetik, Suedia ka një sistem social gjithpërfshirës. Vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për matjen e minimumit jetik. Shqipëria ka të përcaktuar pagën minimale në rang vendi, dhe nga 1 Prilli ngjitet në mesataren e vendeve të rajonit. Po punojmë për sistemin e pagave.“
Ministrja u shpreh se shpërndarja e ndihmës ekonomike është rritur vitet e fundit në vend, ku theksoi se familjet apo individët në nevojë përfitojnë më shumë benefite nga shteti.
“Për një kontekst statistikor që është e rëndësishme dhe për qytetarët, prej vitit 2017 po realizohet anketa e matjes së të ardhurave në përputhje me përkufizimet e Eurostat, tashmë kemi vendosur një standard sipas metodologjisë. Në 2020-ën rezulton se shpërndarja e përfitimit të ndihmës ekonomike, sepse e kam nën përgjegjësi të përgjigjem për efektivitetin e pagesave direkte për familjet në nevojë, mbulon 82.5% nga grupi i parë i popullatës që konsiderohen më në vështirësi ekonomike.
Ndërkohë skema e vjetër e ndihmës ekonomike, arrinte të mbulonte para reformës së 2018, vetëm 22% të familjeve të varfra. Pra sot kemi një targetim shumë më të mira për familjet që të kenë benefitet nga shteti. E them këtë sepse një prej çështjeve më të rëndësishme është efektiviteti i programeve në adresimin e çëshjeve që lidhen me varfërinë dhe pabarazinë. Nëse i referohemi INSTAT, ka progres dhe mos të harrojmë që kanë qenë vite të vështira.”
Manastirliu deklaroi nga foltorja se fondi i ndihmës ekonomike për vitin 2023 është 7.2 miliardë lekë, shifër që sipas saj rrit ndjeshëm mbështetjen sociale.
“Unë dua të kaloj direkt te mbështetja që shteti ofron për ata që kanë më shumë nevojë. Nëse në 2013-ën, kishim 96 miliardë lekë mbështetje me 4 programe sociale, në 2022-in kjo mbështetje vjen e rritur me 152 miliardë lekë, 20% më shumë se në 2019-ën. Gjatë 2022-it, ne kemi indeksuar dy herë pensionet nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të financimit për mbi 64 mijë familje dhe individë, kemi rritur me 20% masën e ndihmës ekonomike për gratë dhe familjet me më shumë se dy, tre fëmijë. Fondi i ndihmës ekonomike për 2023-in është 7.2 miliardë lekë.”