Me indeksimin e çmimeve të barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme, do të rriten përfitimet e qytetarëve me terapi mjekimi falas. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë me dije vendimet e reja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, dy prej të cilëve lidhen me Listën e Barnave të Rimbursueshme.

“Ajo çfarë reflektohet në këtë vendim qeverie është ndryshimi i çmimeve, që na lejon gjithashtu të kemi dhe një zgjerim të kategorive përfituese, pasi reflektohet një ndryshim në çmimet e kësaj liste. Që do të thotë që kemi një përfitim rreth 2.5 milionë dollarë, të cilat do të shërbejnë brenda tavanit buxhetor të rimbursimit, për të zgjeruar përfitimet e qytetarëve të cilët trajtohen me barna apo terapi mjekimi nga kjo listë”, tha Manastirliu.

Duke folur për rimbursimin e fishave të diabetit për të rinjtë, Manastirliu tha:

“Janë pikërisht çmimet reference përsa i përket fishave të diabetit që vijnë në një vendim në funksion të mbulimit dhe rimbursimit të fishave të diabetit për fëmijët nga 0-18 vjeç dhe për të rinjtë nga 18-25 vjeç. Është një vendim që ne kemi disa vite që e kemi marrë në funksion të mbulimit edhe me rimbursim të pajisjeve mjekësore për kategorinë e fëmijëve dhe të rinvje deri 25 vjeç. Ndërkohë që nëpërmjet këtij vendimi krijohet referenca bazë, referenca e re e çmimit për listën e fishave të diabetit, ku janë 11 alternativa të cilat miratohen duke vendosur dhe çmimin e rimbursimit bazë apo atij që financohet 100% nga shteti”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me një vendim tjetër të qeverisë të miratuar sot, do të ulen burokracitë e procedurave për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e pajisjeve mjekësore.

“Në funksion të aspekteve rregullatore dhe të ligjit për pajisjet mjekësore në Republikën e Shqipërisë, ne aktualisht nxjerrim këtë vendim, i cili bën të mundur reduktimin e një serie procedurash burokratike për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e pajisjeve mjekësore e që më parë do të duhet që të aplikonin dy herë në vit pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë këto autorizime. Tashmë me këtë akt nënligjor, praktikisht kjo liçencë merret e përhershme në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nga ana tjetër, liçenca për tregtuesit me shumicë të pajisjeve mjekësore kërkon të plotësohen një seri kushtesh në varësi të klasës së riskut të pajisjeve mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije edhe vendimin për punonjësit social, në vijim të ngritjes së Urdhrit të Punonjësit Social në Republikën e Shqipërisë. Me vendimin e sotëm, është miratuar përcaktimi i procedurave kritereve apo afateve për ndjekjen e programeve të formimit të kualifikimit profesional për statusin e punonjësit social. Kjo vjen në kuadër të ligjit për statusin e punonjësit social, ku tashmë është ngritur Urdhri i Punonjësit Social, dhe të gjithë punonjësit social në Republikën e Shqipërisë duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet liçensimit që jep ky Urdhër.