Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër vaksinimin në qendër të Tiranës, ku tha se ritmi i vaksinimit nuk do të ndalet, ndërkohë që ka bërë me dije se kur do të mbërrijnë vaksinat e tjera në vend.

“Janë mbi 736 mijë doza vaksine tashmë të mbërritura në vend. Ndërkohë që presim përgjatë kësaj jave 11,700 doza vaksine, të cilat vijnë nga kontrata që ne kemi me Pfizer si dhe një pjesë e tyre, nga kontrata që kemi lidhur me Bashkimin Europian, si pjesë e instrumentit që Bashkimi Europian ka ndërtuar për mbështetjen për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.

Ministrja bëri me dije se përgjatë muajit maj priten të mbërrijnë 99 mijë doza vaksinash nga kontratat e lidhura.

“Përgjatë muajit maj ne presim rreth 99 mijë vaksina të tjera nga kontratat që kemi lidhur me instrumentin Covax, me Pfizer dhe gjithashtu me instrumentin e krijuar tashmë nga Bashkimi Europian”, u shpreh Manastirliu.