Pasi presidenti Ilir Meta tha që nuk do të dekretojë asnjë rregull që cënon liritë dhe të drejtat kushtetuese të njeriut, veçanërisht të mediave, ka reaguar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu u shpreh sot në emisionin “Top Talk”, se ligji i gjobave ndaj mediave, të cilat shkelin protokollet e vendosura gjatë pandemisë, nuk do të ndryshojë, duke pasur parasysh se kjo është në të mirën e shëndetit të qytetarëve.

“E para ne jemi të vendosur të marrim të gjitha masat e nevojshme me qëllim kufizimin e përhapjes së infeksionit. Mediat aktivitetet e tjera të biznesit dhe ata të cilët ofrojnë shërbim për qytetarët, do të duhet që të zbatojnë këto protokolle dhe ne jemi të vendosur, për të zbatuar deri në një dhe të mos kenë tolerancë në zbatimin e tyre. Besojmë që kjo është në funksion të shëndetit të qytetarëve, shëndetit të të gjithëve, ndaj fakti që vendosim rregulla dhe forcojmë ligje dhe instrumenta ligjorë, është vetëm për të mirën e shëndetit tonë.”