Ministrja e Shëndetësisë, Hygerta Manastirliu, ka ndaluar në Durrës për të parë nga afër të gjitha masat e marra nga strukturat në varësi për sezonin turistik. Manasterliu vizitoi një prej 6 qëndrave shëndetësore të hapura në bregdet, konkretisht në zonën e Currilave.

Numri një i shëndetsisë ka garantuar të gjithë qytetarët dhe pushuesit në vend se të 26 qëndrat shëndetësore të hapura në vijën bregdetare shqiptare janë të pajisura me personelin dhe medikamentet e duhura për të dhënë shërbimin shëndetësor në rast nevoje në çdo kohë, në 24 orë të ditës.

Paralelisht me hapjen e qëndrave shëndetësore, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor është duke kontrolluar të gjithë subjektet që operojnë në sektorin e hoteleri – turizmit për plotësimin e kushteve e standarteve higjeno-sanitare, po ashtu edhe të kontrollit ushqimor. Ministrja u deklarua e prerë në drejtim të plotësimit të standarteve të ushqimit dhe atyre higjeno-sanitare, për të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtarinë në Durrës.

Një tjetër pikë e kontrollit ishte dezinsektimi i hapësirave publike. Pickimi nga mushkonjat që janë jo vetëm bezdisëse, por më shumë problematike në drejtim të baktereve që mund të shpërndajnë, pritet të marrë fund brenda pak ditësh.

Grupet e emergjencës, një pjesë e të cilëve janë vullnetarë, kanë demonstruar para autoriteteve dhe plazhistëve në zonën e plazhit, tek Sfinksi, dhënien e ndihmës së parë tek një person i cili mund të ketë    pësuar fraktura apo rrezikonte mbytjen në det.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, dhe kreu i Shëndetit Publik, Kristo Huta, i kanë bërë me dije ministres Manastirliu masat e marra nga të gjitha institucionet në qytetin bregdetar.

K.H.