Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi nga Durrësi, skuadrat e terrenit dhe nënshkroi me drejtuesit e UNICEF dhe Save the Children, memorandumin për planin e deinstitucionalizimit për fëmijët: Familje për çdo fëmijë pa kujdes prindëror.

"Pas Shtëpive të Fëmijëve, çdo institucion përkujdesi për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar do të pajiset me sistemin e kamerave, me qëllim monitorimin e të gjitha veprimeve që mund të cënojnë sigurinë fizike dhe psikologjike të atyre që janë më të pambrojturit," deklaroi ministrja e cola vizitoi shtëpinë e jetimëve të Durrësit.

"Katër muaj më parë, deklaruam se do të vlerësonim çdo fëmijë në 9 qendrat rezidenciale të përkujdesit dhe do të hartonim plan individual për secilin prej tyre për kthimin e fëmijëve në familjet biologjike; apo në një familje kujdestare si dhe për tansformimin e institucioneve rezidenciale në shtëpi-familje për fëmijët që ende nuk e kanë një familje.

Sot kemi bërë hapin e parë konkret për transformimin e institucioneve në shtëpi-familje. Shtëpiza nr 1 e Shtëpisë së Fëmijëve Durrës tashmë është mirëfilli një shtëpi familje, ku 8 fëmijë jetojnë në një ambient familjar, si në cdo shtëpi. Premtuam vendosjen e kamerave të sigurisë në institucionet e përkujdesit. Jemi sot në një qendër ku tashmë janë instaluar kamerat e sigurisë me qëllim monitorimin e të gjitha veprimeve që mund të cënojnë sigurinë fizike dhe psikologjike, në emër të interesit më të lartë të fëmijës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është e vendosur ta përmbushë këtë standard në cdo institucion përkujdesi, sepse siguria dhe mirëqësnia e fëmijëve është e para," tha ministrja.