Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga kuvendi ka paralajmëruar se mund të ketë masa anti-COVID shtesë për festa duke qenë se do të ketë ndërveprim më të lartë.
Ministrja tha se ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë situatën nëse do të ketë masa shtesë.
“Jemi para festave kur padyshim presim të rriten shkëmbimet ndërveprimet dhe është një situatë sa delikate po ashtu dhe fluide, ndaj ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë këtë situatë për masat që do të nevojiten, për mbrojtje. Duke filluar nga 4 janari të gjithë punonjësit në administratë dhe supermarkete duhet të paraqesin kartën e vaksinimit atë të shërimit ose antigenin çdo 8 ditë. Jemi duke vlerësuar situatën dhe po vijojmë me investimet”, tha ministrja.
Duke theksuar se e gjithë bota po përballet me rritje të rasteve për shkak të variantit të ri të COVID, Omicron, ministrja tha se kemi arsye për të qenë të shqetësuar por nuk duhet të panikosemi. Si një shembull që ndoshta mund ta ndjekë dhe vendi jonë, ajo përmendi disa vende që kanë marrë masa për festa, si Franca, Gjermania, , Holanda.
“S’do stepemi pranë sfidave dhe vështirësive, do çojmë përpara vaksinimin. E gjitha bota po përballet me rritje të rasteve për shkak të Omicron, kemi arsye për të qenë të shqetësuar por edhe për të shmangur panikun. Ka ende të panjohura për variantin. Nëse dyfishohen raste do kemi më shumë infektime dhe më shumë të shtruar tha drejtori i obsh. Evropa po shton masat përforcuese. Holanda, Franca Gjermania, Austria nën masa të kufizuara dhe për festa”, tha ministrja.