Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në kuadër të fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, për vaksinimit ndaj Covid-19, ka publikuar mesazhin e shkrimtares së njohur Helena Kadare.
Shkrimtarja Kadare vë theksin tek vaksinimi sa më parë i të rinjve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit.
“Tërë jetën time kam qenë në krah të mendimit të të rinjve, edhe kur ai ka qenë ekstravagant apo në kundërshtim me logjikën “e pastër”. Sepse sido që të jetë ai, mendimi i rinisë, në të gjitha rastet është më i përparuari, është i lirë, i hapur, kurajoz. Për herë të parë në jetën time të gjatë, gjithmonë pro tyre, mendimi im po bie ndesh me ta. Është vaksina kundër Covidit që na ndan. Ne, të rriturit, i shpëtuam kësaj murtaje në sajë të vaksinës. Por, në njw bilanc të shkurtër, çfarë na duhet neve jeta pa nipërit e mbesat tona? Sepse tani vala po godet ata. E kam të pamundur t’i gjej logjikën refuzimit të vaksinës prej tyre. Është njësoj si t’i thuash Jetës jo, në favor të mosqenies! Kaq e thjeshtë.”, thotë Kadare.