Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19, investimet në shëndetësi po vijojnë, për rindërtimin e qendrave të kujdesit parësor nga veriu në jug të vendit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi sot punimet në qendrën shëndetësore të Zall Bastarit, një zonë e thellë në skajin verilindor të Tiranës, ku ka nisur puna për rindërtimin nga themelet të kësaj qendre.

“E kemi treguar me vepra dhe jo me fjalë që investimet në kujdesin parësor janë investime cilësore Nuk e kemi ndalur punën pë rindërtimin e qendrave të kundesit parësor nga veriu në jug të vendit dhe jam e kënaqur që edhe në këtë zonë të thellë, po rindërtojmë infrastrukturën e kujdesit parësor me të njëjtin standard, si në qytete edhe në zonat më të thella”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se strategjia e kujdesit parësor përfshin zgjerimin e shërbimeve, Manastirliu tha se në qendrat shëndetësore do të përfshihen edhe shërbime sociale për banorët, sidomos në zonat e thella.

Duke vlerësuar punën e mjekëve të familjes, Ministrja e Shëndetësisë tha se po trajtohen me përparësi pacientët me COVID-19 edhe nga mjekët e familjes.

“Mjekët dhe infermierët po vijojnë pa u ndalur duke ofruar shërbime për të gjithë banorët, duke trajtuar edhe pacientë me COVID-19 sipas protokolleve tashmë të përcaktuara të mjekimit”.

Në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore në bashkinë Tiranë u rikonstruktuan dhe u pajisën me aparaturat e nevojshme për vitet 2018 – 2019, 24 qendra shëndetësore dhe ambulanca me investim nga buxheti i shtetit. Për vitin 2020 në bashkinë Tiranë  do ti nënshtrohen rehabilitimit edhe 13 qendra të kujdesit parësor.