Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në faqen e saj në Facebook ka publikuar një mesazh drejtuar qytetarëve për mbajtjen e maskave mbrojtëse në të gjitha ambientet për të ndihmuar sistemin shëndetesor dhe frenuar përhapjen e COVID-19.
Manastirliu thekson se pavarësisht përgatitjes dhe punës së përditshme në betejën me këtë virus të rrezikshëm, përgjegjësia është edhe individuale për parandalimin e infeksionit. Manastirliu ka bërë apel që qytetarët të vendosin barrierat mbrojtëse për të mbrojtur shëndetin e tyre.
“Të frenojmë virusin, të evitojmë sa mundemi format e rënda në reanimacion dhe fatalitetet. Pavarësisht kapaciteteve spitalore dhe përgatitjes që kemi bërë dhe po bëjmë për t’u përballur me virusin, është jeta e shqiptarëve që ne duhet të mbrojmë, ndaj secili nga ne ka detyra për të përmbushur në këtë betejë. Të ndihmojmë veten dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin duke vendosur barrierat mbrojtëse”, thekson Manastirliu në mesazhin e saj.
Prej ditës së enjte, 15 tetor maska do të vendosen me detyrim në çdo ambient të mbyllur dhe të hapur, si një nga masat që frenon përhapjen e infeksionit.