DURRES – Teuta po përgatitet për ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit. Bregdetarët do të presin në shtëpinë e tyre skuadrën e Bylisit, ndërsa pak ditë më vonë Teuta do të presë Shkumbinin në “Niko Dovana”. Ish-i peqinas, për të parën herë në karrierë, do të mundohet të jetë kundër skuadrës së tij të zemrës. Gugash Magani është i lidhur ngushtë me skuadrën dhe qytetin e tij, ndaj për të kjo përballje do të jetë tejet e vështirë.

Ndërkohë Teuta është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të fazës përgatitore, ndërsa presin me padurim rifillimin e kampionatit. Më të karikuar se kurrë, “djemtë e detit” premtojnë një sezon të shkëlqyer, madje shkojnë edhe më tej, duke pretenduar titullin kampion.

Skuadra nuk është prezantuar mirë në miqësoret e fundit të luajtura në kuadër të përgatitjeve, por Bledar Mancaku, nënvizon se nuk ka nevojë për diskutime. Sipas tij është vetëm çështje kohe, që durrsakët të kthehen në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.

“Skuadra nuk ka bërë një prezantim të mirë gjatë përgatitjeve, ku ka humbur thuajse pjesën më të madhe të ndeshjeve, por nuk ka ndonjë problem. Për ne kjo është normale, pasi ndodhemi në fazë përgatitore dhe skuadra nuk është në formën e saj më të mirë. Megjithatë, ne kemi mjaftueshëm kohë për të rikuperuar, madje kam shumë besim se do të ndodhë një gjë e tillë”, tha sulmuesi.

Më tej ai shtoi: Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë jemi koshient, por nuk ka asgjë të pamundur, aq më tepër që është edhe gjysma e rrugës për t’u përshkuar. Gjatë fazës së dytë të kampionatit kalendari është në favorin tonë, ndërsa dy ndeshjet e para i luajmë në shtëpi. Këto dy ndeshje duhet t’i fitojmë me çdo kusht, pasi është e vetmja mënyrë për t’u rifutur në lojën për titull. Në fakt për mua gjithçka është e mundur, aq më tepër që me Skënderbeun kemi edhe ndeshje direkte”,- deklaroi Mancaku.