DURRES, 17 qershor 2013 – Bledar Mancaku shikon një Teutë krejt ndryshe dhe mjaft të mobilizuar në këto ditë përgatitje. Fitorja e thellë që durrsakët arritën në miqësoren e luajtur dy ditë më parë, ka ngritur së tepërmi moralin në skuadër, ndërsa ditët në vijim bregdetarët do të zhvillojnë një tjetër ndeshje, për të parë nëse forca e skuadrës është rritur, apo thjesht niveli i kundërshtarit ishte i dobët.
“Gjithçka po ecën mirë këtu në Bullgari. Stërvitemi me nga dy seanca në ditë dhe dje (të shtunën) zhvilluam edhe një ndeshje miqësore, të cilën e fituam me rezultatin 9-1. Skuadra tregoi karakter në lojën e saj dhe e rëndësishme ishte fakti se u zhbllokuan sulmuesit. Ndonëse kemi luajtur ndaj një kundërshtari të dobët, loja që zhvilloi ekipi ynë ishte e koncentruar. Gjithsesi jemi vetëm në ditët e para të përgatitjeve dhe nuk jemi formuar ende si skuadër. Më pas do të kemi edhe ndeshje të tjera miqësore dhe aty do të shikojmë nëse vërtet jemi kaq mirë, sikurse edhe në takimin e parë”, u shpreh Mancaku.
Duke vijuar më tej, sulmuesi e ka vënë theksin tek ndeshjet e Ligës së Europës.
“Kemi në dispozicion mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për sezonin e ri, të cili do ta nisim me dy ndeshjet e Ligës së Europës, prandaj e kemi marrë me qetësi dhe po punojmë intesivisht për të qenë gati kur të vij momenti”, ka përfunduar Mancaku.





