Bledar Mancaku i ka dhënë fund karrierës prej dy vitesh, por për të zyrtarizuar “divorcin” me futbollin gjithçka u konfirmua dy ditë më parë, kur beniamini i tifozërisë durrsake shkelmoi topin e fundit përmes një ceremonie të organizuar nga klubi Teuta.
I emocionuar pas duartrokitjeve në stadiumin “Niko Dovana”, 35-vjeçari foli për disa momente pikante të karrierës. Ai është i bindur se skuadra e tij e zemrës, Teuta, do të luftojë për kreun e tabelës këtë sezon.
“Ceremonia e lamtumirës nga futbolli ishte një moment me ngarkesë emocionale për mua para ndeshjes Teuta-Luftëtari. Gjej rastin të falënderoj presidencën dhe organizatorët, gjithashtu edhe tifozët për duartrokitjet e tyre. Kam kaluar vite të mrekullueshme me Teutën. Skuadra jonë e zemrës përfaqëson një qytet të qetë dhe sportdashës. Ka tifozët më të mirë në Shqipëri dhe këtë e them me bindje. Tifozët durrsakë që nuk ofendojnë kurrë dhe nuk merren me kundërshtarët. S’ka ndodhur ndonjëherë që të bëjnë veprime të pahijshme me lojtarët apo stafet kundërshtare dhe për këtë jam krenar që më kanë duartrokitur këta tifozë”, ka thënë fillimisht Mancaku, për të folur më pas për grupin aktual të Teutës.
“Më vjen mirë që presidenti Edmond Hasanbelliu dhe aksioneri Ardian Bardhi kanë një projekt konkret për këtë skuadër. Për mua ky ekip është i një niveli më të lartë se i viteve të fundit. Pse jo, Teuta mund të luftojë për titullin. Kur unë kam qenë lojtar i Teutës e kemi tentuar disa herë dhe të them të drejtën akoma i kujtoj ato emocionet e ndeshjeve kundër Tiranës, që ka qenë rivali më i fortë. Më vonë rivali ynë u bë Skënderbeu. Ka pasur skuadra, të cilat, kur luaje kundër, kishe kënaqësi dhe rivalitet të fortë. Teuta më fort dhe me më shumë grintë ka luajtur kundër Tiranës. Personalisht në çdo ndeshje kam dhënë më të mirën për Teutën dhe këtë kërkoj nga lojtarët aktualë. Të luajnë me zemër, pasi fanella e Teutës është një bluzë që të jep kënaqësi kur e vesh. Do burrëri të dalësh në tapet”, ka përfunduar ish-fantazisti.





