Bledar Mancaku mendon se Teuta mund të kalojë një tur në Ligën e Kampioneve, ashtu siç bëri në edicionin e kaluar kur në Ligën e Europës mposhti një kundërshtar të fortë si Beitar Jeruzalem.

Ish-kapiteni i durrsakëve dhe një prej lojtarëve më të mirë të viteve ‘2000 me Teutën, flet për titullin, pritshmëritë që ka për ekipin, si dhe akademinë, ku ai tashmë prej muajsh bën pjesë si trajner te ekipet e grupmoshave.

Bledar, Teuta u shpall kampione pas 27 vitesh dhe ju ishit një prej atyre që besonit shumë te kjo arritje. Si e komentoni tani?

Jam i lumtur që Teuta më në fund fitoi titullin. Edhe para ndeshjes me Laçin, kur të gjithë menduan se shanset ishin minimale, unë bëra apel përmes gazetës suaj që skuadra nuk duhej të dorëzohej.Ka qenë një ditë e mrekullueshme shpallja kampione matematikisht e ekipit tonë të zemrës. Pritja e një qyteti, tifozët dhe ekipi. Ishin shumë gjëra që na bënë të lumtur.Këto dy vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshme, sepse në fillim erdhi Kupa, e më pas Superkupa. Pastaj Teuta kaloi një tur në Ligën e Europës dhe në fund titulli. Unë mendoj se ishte më se i merituar për klubin dhe presidentin Hasanbelliu.

Ishte ky kampionati më i çuditshëm në syrin tuaj?

Ishte një nga kampionatet më të bukura, na la javë pas jave shije shumë të mirë. Nuk dihej se cili do të ishte fituesi në fund. Ekipet e vendeve të fundit luajtën futboll të pastër. Ato nuk e prishën garën dhe e bënë mjaft të bukur kampionatin.

Çfarë pritshmërie keni për Teutën në vazhdimësi?

Mendoj që pritshmëritë do të jenë gjithmonë në bazë të asaj si do të përforcohet apo si do të formohet ekipi. Nuk diskutohet që gjithmonë unë pres që të shkojë sa më lart.Si unë personalisht, ashtu edhe skuadra, pritshmëritë duhet t’i kenë të larta, duke filluar nga ndeshjet në Europë.

Si e mendoni ekipin në Champions?

Teuta duhet të ketë pak fat në turin e parë. Pjesëmarrja europiane është më impenjative, e gjithashtu shumë me tepër kualitative. Kushdo qofshin emrat e kundërshtarëve në Champions, Teuta do të luaj shansin e saj, pa ndjenja inferiorioriteti. Kalimi i turit të parë do të thotë shumë për klubin, por edhe për futbollin shqiptar në përgjithësi.

Në këtë merkato, si duhet të veprojë klubi sipas jush?

Shpresoj për një merkato më cilësore, njësoj si ajo e verës së kaluar. Jam besnik i teorisë që nuk duhen afruar lojtarë të shtrenjtë, por cilësorë dhe punëtorë, sikundër ishin Bregu dhe ndonjë tjetër. Vërtet këta futbollistë nuk janë blerë shtrenjtë sezonin e shkuar, por me cilësitë e tyre, nuk lënë vend për komente.

Ju jeni pjesë e akademisë Teuta si trajner. Si është të punosh tashmë që ekipi i parë mori titullin?

Teuta ka nisur një punë që duhet marrë në konsideratë. Tek Akademia po zbatohet një strategji largpamëse. Ka vite që këtu punohet me ekipet zinxhir, për të cilat mendoj se ka shumë lojtar të mirë, që nga moshat më të vogla dhe deri tek U-19. Tashmë që janë bërë edhe fushat e reja, ku stërvitën shumë ekipe moshash, mendoj se cilësia do të rritet.