Bledar Mancaku, ish-sulmuesi i shquar i Teutës, ka folur rreth ecurisë së skuadrës durrsake në këtë start të sezonit. Aktualisht në rolin e trajnerit të moshave, Mancaku ka analizuar blutë para ndeshjes ndaj Laçit. Ish-lojtari i Teutës shprehet se blutë duhet të jenë të qetë dhe se problemi i pësimit të golave do të zgjidhet.
Bledar, ta nisim nga humbja me Partizanin, si e shpjegoni?
Ajo ishte një ndeshje që duhet harruar për Teutën, të paktën kështu mund ta quash në futboll. Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi dhe ishte një gabim i madh. Por normalisht që s’ka vend për pesimizëm, unë kam besim se ky ekip do të ringrihet.
Sa i cenon objektivat e Teutës kjo ecuri e dobët në fazën e parë?
Nuk është një gjë që shtyp butonin dhe reagojnë të gjithë. Besoj që çfarë është kërkuar në stërvitje, djemtë e kanë bërë në ndeshje. Besoj se do të gjendet rruga e duhur për të ardhur te fitorja. Skuadra tashmë duhet ta kalojë vetë këtë moment. Atë gabim që bëri ndaj Partizanit, ekipi duhet ta shlyejë ndaj Laçit duke reaguar me fitore.
Çfarë ju shqetëson më tepër në këtë situatë?
Më shqetëson vetëm si do të jetë reagimi i skuadrës në ndeshjen e radhës, që është shumë delikate për ne. Jemi disa pikë më pak se rivalët dhe në këtë moment Teuta duhet të tregojë forcën e saj, ashtu siç ka bërë në këto vite.
Mendoni që dueli ndaj Laçit është vendimtar për Teutën?
Mendoj që nuk është vendimtare, por një ndeshje që duhet fituar dhe për moral. Është ende herët për verdikte. Teuta ka një ekip më të pjekur, pavarësisht problemeve që ka pasur gjatë këtij fillimsezoni, por mendoj se favoritë për ndeshjen e së shtunës mbeten durrsakët.
Këtë sezon veç lojtarëve me eksperiencë janë aktivizuar edhe shumë djem të rinj. Si ju duket kjo strategji?
Teuta ka pasur gjithmonë lojtarë dhe talente brez pas brezi. Nëse punohet me këto talente që ka aktualisht, mund të nxjerrë lojtarë me cilësi të mëdha. Teuta është mbretëresha e futbollit shqiptar dhe gjithmonë ka nxjerrë lojtarë.
Reparti i mbrojtjes po çalon, pasi ka pësuar 15 gola në 9 javë. Si mund të përmirësohet?
Reparti i mbrojtës realisht ka çeduar, por duhet pranuar dhe fakti që kurrë skuadra s’ka qenë e plotë. Ndryshimet e shpeshta nga ndeshja në ndeshje për arsye dëmtimi sjellin këto probleme. Unë mendoj se tashmë që pothuajse janë të plotë, do të përmirësohen akoma më shumë. Tani që afron edhe merkatoja e janarit, Teuta do të arrijë ta zgjidhë problemin e pësimit.