E ardhmja e trajnerit Erik ten Hag është e pasigurt në “Old Trafford”. Manchester United ka nisur kontaktet me trajnerin e Bayern Munich, Thomas Tuchel, pasi drejtuesit janë të pakënaqur nga ecuria e ekipit.

“Djajtë e Kuq” arritën nivelin më të ulët këtë sezon, pasi panë Crystal Palace t’i mposhti 4-0 në Premier League.

Ky rezultat e mban United në vendin e tetë në tabelë dhe ekipi është në rrugën për ta mbyllur sezonin në pozicionin më të ulët ndonjëherë në Premier League.

Drejtuesit e rinj të klubit do të gjykojnë Ten Hag në fund të sezonit përpara se të marrin një vendim për të ardhmen e tij, ndërsa ai ka qenë i përfshirë në planifikimin e diskutimeve për fushatën e ardhshme.

Tuchel do të jetë pa punë në verë pasi pranoi të largohej nga Bayern Munich, dhe sipas gazetarit të Sky-it, Florian Plettenberg Man Utd është ende në kontakt me trajnerin gjerman.

“Ka dy destinacione tërheqëse për Tuchel: ManUtd ose një rikthim në Chelsea! Ka kontakt të lirë me United. Por tani për tani ai është aktualisht plotësisht i fokusuar te Bayerni dhe dëshiron të fitojë trofeun e Champions për ekipin dhe tifozët”, shkroi Plettenberg në platformën X.

Një tjetër emër që lakohet është ish-trajneri i Juventusit dhe Chelseat, Antonio Conte. Gazetari i RAI-t, Ciro Venerato, këmbëngul se ai mund të jetë trajneri i ri i “Djajve”.