ANGLI – Roberto Mançini, megjithëse nuk po kalon periudhën e tij më të mirë në stolin e Mançester Citit, duket i vendosur ta mbrojë skuadrën e tij.  Në një intervistë për “Sky Sport Italia”, menaxheri italian foli për të ardhmen e tij dhe atë të Balotelit. “Rivalët tanë kanë më shumë eksperiencë, por ne kemi një skuadër shumë më të mirë, që luan futboll më të bukur”, – tha Mançini.

Duke u përqendruar tek mosmarrëveshjet e fundit me Balotelin tekniku italian tha: “Mario nuk është në shitje. Ai është një lojtar i Sitit, i cili adhurohet nga tifozët dhe drejtuesit. Ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ne. Duhet të mendojë për punën dhe familjen e tij. Zoti nuk ia ka kursyer talentin, por ai nuk mund ta shpërdorojë atë”.

Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve dhe diferencën prej 6 pikësh me Mançester Junajtid stoli i tij duket i lëkundur, por Mançini pohon se nuk e ndjen presionin e shkarkimit.

 “Unë ndihem shumë mirë këtu. Jam komod. Punoj në një prej klubeve më serioze dhe puna në Angli është shumë herë më e kollajshme se në Itali. Asnjë drejtues nuk më ka telefonuar për të më bërë presion. Klubi ka një projekt dhe ne kemi bërë një punë të mrekullueshme gjatë këtyre dy viteve. Italia më mungon siç do t’i mungonte shtëpia çdo njeriu, por unë jam i lumtur në ishull”.