“Askush nuk më ka kontaktuar, por diçka do të vijë, është vetëm çështje kohe”. Këto janë fjalët e ish-trajnerit të Italisë, Roberto Mancini, i lidhur së fundmi me stolin e Romës dhe Milanit pas lamtumirës së tij nga kombëtarja e Arabisë Saudite. Për Tg1 ai përsëriti edhe njëherë se largimi nga kombëtarja italiane ishte një gabim i madh. “Nuk do ta bëja më atë zgjedhje. Për arsye teknike, për arsye futbolli, sepse të stërvitesh kombëtaren është gjëja më e mirë. Jo, nuk do ta bëja sërish”, – tha ai në një intervistë për Tg1.
“Ndoshta nuk e kemi kuptuar njëri-tjetrin, ndoshta nëse do të kishim folur pak më shumë me njëri-tjetrin do të kishte shkuar ndryshe”, – shtoi ish-trajneri, duke iu referuar presidentit të FIGC-së, Gabriele Gravina. “Por nuk kam asgjë kundër presidentit”, -tha ai.
“Më i vëmendshëm ndaj parave sesa ndaj fanellës? Historia ime flet për mua, ata që nuk e dinë duhet të shkojnë dhe ta lexojnë dhe pastaj të flasin”, -tha Mancini në fund si një replikë kundër atyre që e akuzojnë se u largua nga Italia për në Arabinë Saudite për shkak të shumave të majme.