Roberto Mancini për stolin e Milanit, Vincenzo Montella te Roma dhe Luciano Spalletti te Interi. Në Serinë A, kjo verë parashikohet të jetë më e nxehtë se kurrë jo vetëm sepse pritet një merkato e fuqishme përsa i përket futbollistëve, por mund të ketë edhe shumë ndryshime në pankinat e disa prej skuadrave më të rëndësishme. Deri para pak ditësh dukej i sigurtë qëndrimi i Montellës te Milani edhe për sezonin e ardhshëm me drejtuesit e rinj që kishin prioritet rinovimin e kontratës me 42-vjecarin nga Napoli. Por papritur në vetëm pak kohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Rezultatet e dobëta që kanë regjistruar kuqezinjtë në javët e fundit janë përkthyer me një humbje të besimit në drejtim të Montellës i cili nuk është më në qëndër të projektit të Milanit. Në këtë mënyrë drejtori i përgjithshëm Marco Fassonne po mendon për Roberto Mancinin.
Ish trajneri i Interit aktualisht është i papunë dhe Fassone shikon te Mancini nje trajner të besuesshëm për të tentuar ringritjen e Milanit.Montella nëse largohet nga kuqezinjtë me shumë gjasa do të rikthehet te Roma skuadra ku luajti për pjesën më të madhe të karrierës por tashmë në rolin e trajnerin për të zëvendësuar pikërisht Spallettin. Ish trajneri i Zenitit me shumë gjasa do të largohet nga verdhekuqtë në fund të këtij sezoni për të marrë ndoshta drejtimin e Interit, gjithmonë nëse kinezët e Suning nuk arrinë të sjellin në Milano asnjë mes dy emrave të mëdhenj që kanë objektiva parësorë për stolin, Antonio Conten ose Diego Simeonen.