Kanë shteruar listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zëvendësimin e mandateve të deputetëve që dhanë dorëheqjen.
Rreth dy muaj më parë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndërmorën hapin drastik për djegien e mandateve parlamentare, duke theksuar se kërkojnë largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të parakohshme. Pas këtij vendimi të marrë, Kuvendi i dërgoi KQZ-së listën e vakancave të krijuara dhe nga ku më pas nisi edhe zëvendësimi i mandateve.
LSI
Kandidatët për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim ishin më pak të bindur për vendimin e ndërmarrë për djegien e mandateve. Ditën e djeshme, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u paraqit Ramazan Gjuzi, kandidat i LSI-së për Qarkun e Tiranës, i cili plotëson edhe vakancën e plotë të krijuar në Kuvend nga kjo forcë politike.
Gjuzi është i 17-ti nga radhët e LSI-së që do të ulet në Parlament, duke plotësuar të gjithë numrin e mandateve të djegura nga kjo forcë politike dy muaj më parë. Nga radhët e LSI-së, i vetmi që nuk pranoi të digjte mandatin ishte Lefter Koka. Kësisoj, në Parlament do të jenë 18 deputetë nga listat e LSI-së.
PD
Partia Demokratike nuk u arrit të zëvendësohej plotësisht në Kuvend. Demokratët kishin në Parlament 41 mandate, të cilat i dogjën dy muaj më parë. Që nga nisja e plotësimit të vakancës, vetëm 23 kandidatë dolën kundër vendimit të partisë, duke pranuar që të ulen në Parlament për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.
Kështu, në Kuvend aktualisht ka një vakancë prej 18 deputetësh dhe numri total i tyre është 122 nga 140 vende që ka Kuvendi. Ndër qarqet më besnike ndaj vendimit të PD-së është Fieri, i cili nuk është zëvendësuar me asnjë mandat. Ashtu si Fieri, edhe Lezha i qëndroi besnik vendimit të PD-së.
Kandidatët në Qarkun e Tiranës, Korçës ishin ndër më pak besnikët ndaj PD-së. Në Korçë lista u zëvendësua plotësisht me të katër mandatet e dorëhequra, ndërsa në Tiranë, nga 10 deputetë që kishte PD-ja, 8 janë zëvendësuar.
PROBLEMATIKA
Me shterimin e listës së kandidatëve të PD-së ngrihet edhe një debat tjetër kushtetues. Neni 64, pika 1 e Kushtetutës parashikon se Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë, gjë e cila aktualisht nuk zbatohet, pasi lista e kandidatëve zëvendësues të PD-së ka shteruar plotësisht. Për këtë, nga aleatët e Partisë Demokratike ka pasur zëra që Presidenti Meta të shpërndajë Parlamentin, me argumentin se nuk garanton nenin kushtetues me përbërjen e tij.
ZËVENDËSIMI I MANDATEVE TË PD-SË
Qarku FIER
Mandate të djegura 3
Mandate të Zëvendësuara 0
Vende bosh 3
QARKU TIRANË
Mandate të djegura 10
Mandate të Zëvendësuara 8
Vende bosh 2
QARKU DIBËR
Mandate të djegura 2
Mandate të Zëvendësuara 1
Vende bosh 1
QARKU DURRËS
Mandate të djegura 4
Mandate të Zëvendësuara 2
Vende bosh 2
Qarku VLORË
Mandate të djegura 3
Mandate të zëvendësuara 2
Vende bosh 1
QARKU KORÇË
Mandate të djegura 4
Mandate të zëvendësuara 4
Vende bosh 0
QARKU SHKODËR
Mandate të djegura 5
Mandate të zëvendësuara 2
Vende bosh 3
QARKU KUKËS
Mandate të djegura 2
Mandate të zëvendësuara 1
Vende bosh 1
QARKU BERAT
Mandate të djegura 1
Mandate të zëvendësuara 1
Vende bosh 0
QARKU LEZHË
Mandate të djegura 3
Mandate të zëvendësuara 0
Vende bosh 3
Qarku GJIROKASTËR
Mandate të djegura 1
Mandate të zëvendësuara 1
Vende bosh 0
Qarku ELBASAN
Mandate të djegura 3
Mandate të zëvendësuara 1
Vende bosh 2
PANORAMA





