Pasi PS votoi kundër kërkesës së grupit parlamentar të PD për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Grupi Parlamentar i PD ka informuar Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe Trupin Diplomatik në Tiranë.
Në shkresën që mban firmën e kryetarit të Grupit, Gazment Bardhi theksohet se votimi ditën e enjte ishte “dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës.”
Grupi Parlamentar i PD thotë se pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Xhacka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama.
“Ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK. Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka” – thuhet në shkresën drejtuar ndërkombëtarëve.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që ndërkombëtarët të mos e kalojnë këtë veprim në heshtje.
“Duke besuar se nuk mbështesni standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”, shpreh bindjen time se ky veprim i paprecedent nuk do të përkrahet nga ana juaj, qoftë edhe përmes kalimin të kësaj situate në heshtje” – shprehet Bardhi.