Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot dy kërkesa të Grupit Parlamentar të PD-së lidhur me mandatin e ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.
Kushtetuesja ka vendosur që brenda të njëjtës ditë do të trajtohen dy padi, në të dyja palë e paditur Kuvendi dhe Xhaçka.
Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama. Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi.
Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit të ministres janë njësoj sikur të ishin të regjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Vetë ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.
Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të Xhaçkës.