17 qershor 2015 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë dje në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për të hetuar manipulimin e listave zgjedhore për Qarkun e Durrësit. Pas diskutimeve dhe qëndrimeve të kundërta të anëtarëve të KQZ, organi më i lartë zgjedhor vendosi të thërrasë sot në raportim drejtorin e Gjendjes Civile, i cili do të merret në pyetje për të ashtuquajturin skandal të manipulimit të listës zgjedhore në Durrës.

Drejtori do të sqarojë shtimin e numrit të zgjedhjeve me 2800 persona në listat zgjedhore në Durrës. “Nesër (sot) do të thërrasim drejtorin e Gjendjes Civile. Në rast të pamundësisë të tij të vijë një përfaqësues. Të mos e ekzagjerojmë sepse bëhet fjalë për 0.7% të numrit të popullsisë”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi.  

Anëtarët e djathtë të komisionit dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, ngulën këmbë se KQZ-ja duhet të merret me këtë çështje, pasi ka për detyrë administrimin e zgjedhjeve. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, tha se do ta mbështeste PD-në nëse organet ligjzbatuese do të dalin në përfundimin se është kryer manipulimi i listave zgjedhore. Gjithsesi, Gjonçaj i kujtoi PD-së të mos merret vetëm me Durrësin, por edhe me skandalin e manipulimit të listave zgjedhore në Vorë, nga kryebashkiaku Fiqiri Ismaili. “PD flet vetëm për Durrësin por harron Vorën. Është kandidatja e PD-së në Durrës është e importuar”, u shpreh Gjonçaj.

Ndërsa anëtari Gëzim Velshnja tha se kjo çështje nuk i përket KQZ-së. “Problemi është jashtë kompetencave tona. Nuk jemi kompetente për vendime të kësaj natyre”, u shpreh Veleshnja. Kjo u kundërshtua nga anëtari i PD-së, Hysen Osmani. “Administrimi i zgjedhjeve i përket KQZ-së”, u shpreh ai.  

Sekuestrimi i listave zgjedhore  

Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e listave zgjedhore për të kryer hetimin e duhur në lidhje me denoncimin që ka bërë PD-ja për shtimin e numrit fiktiv të zgjedhësve. Këta persona, sipas Prokurorisë së Durrësit, janë shtuar me kontrata fiktive qiraje si banorë të përkohshëm dhe votues në qytetin e Durrësit. Prokuroria ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje, nga të cilët janë pyetur rreth 60 persona, banorë në zonën e Plazhit, kryesisht ata që pretendohet se kanë dhënë me qira ambiente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Por, rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambiente banimi me qira.

Prokuroria, në këto kushte, i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës pezullim nga detyra për drejtorin e Ndërmarrjes Komunale të Plazhit, Alfred Dhuli.

Dyshohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, nga persona që kanë për detyrë t’i hartojnë ato. Sipas akuzave të ngritura nga PD-ja, mësohet se janë rreth 2800 zgjedhës të shtuar nga janari deri më 11 maj, ndërkohë që vitin e kaluar në total janë shtuar 2200 zgjedhës. Mesatarja mujore nga 2013-a deri në dhjetor 2014 ka qenë 183 zgjedhës të rinj në muaj. Ndërkohë që sipas PD-së ka një rritje mbi mesataren mujore në janar-shkurt, kërcimi ndodh në mars kur qarkullonte se Dako ishte konfirmuar. Ai u konfirmua zyrtarisht me 30 mars. Në prill shtimi i zgjedhësve është intensifikuar.

/Sot News/