Nga Andi Bushati
Një fushatë manipuluese e paskrupullt po vazhdon prej disa ditësh, që kur qeveria shqiptare është dënuar nga Gjykata e Strasburgut të paguajë diçka më shumë se 13 milionë euro. Nga njerëzit pranë Ramës dhe nga mediat mbështetëse të tij po krijohet një tymnajë sikur kryeministri i ka lënë vetë t’i rëshkasin këto miliona, sepse ato do të përfitoheshin drejtpërdrejt nga familjarët e Lulzim Bashës dhe nga vetë kreu i opozitës.
Në këtë kuadër janë shpeshtuar spekullimet, sikur mbrojtësit e qeverisë shqiptare qenkëshin treguar “të butë” gjatë procesit për prishjen e pallatit të Vlorës në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strazburg, sikur ata janë përpjekur t’i krijojnë mundësi palës tjetër, sikur e gjitha kjo është pjesë e një marrëveshjeje ekonomike, ku Lulzim Basha ka shitur parimet e opozitarizmit në Shqipëri, për të shikuar interesat e veta financiare.
Kjo paranojë ka shkuar edhe më tej duke manipuluar se Rama i dha familjarëve të Bashës vetëm diçka më pak sesa shuma e Strasburgut (e pavërtetë sespse shteti nxori si dëmshpërblim vetëm sesa 3.4 milionë euro) dhe se ky “deal” u arrit në ditët e marrëveshjes për të dalë nga çadra.
E vërteta është krejt tjetër.
Dhe nxjerrja e saj në dritë nuk ka të bëjë aspak me kreun e opozitës. Me mënyrën si u soll kur ishte një anëtar i qeverisë Berisha, duke lobuar që ai pallat të ngrihej aty ku një mendje normale as nuk mund ta imagjinonte dhe më pas me mënyrën se si tradhtoi kauzën e opozitës, për të bërë marrëveshje me Ramën. Lulëzim Basha mund të akuzohet për gjithçka.
Ai mund të rezultojë si i dyshuar, ose si indiferent ndaj interesit publik, për shumë nga aktet dhe veprimet e tij.
Por këtu çështja nuk është as te profili psikologjik i Bashës, as te leximi i ndërgjegjes së tij dhe as tek interesat monetare të familjes së vet.
Ftesa për t’u marrë me to, në këtë rast është një kurth pervers për të harruar Edi Ramën dhe ndëshkimin e qeverisjes së tij haxhiqamileske nga Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg.
Sepse, ajo që ka zbardhur Strasburgu është shumë më flagrante sesa shpërdorimi i 13 milionë eurove të qytetarëve shqiptarë. Mjafton të lexosh vendimin e kësaj gjykate për të kuptuar dushin e ftohtë që ai i jep metodave banditeske të qeverisjes së Edi Ramës. Aty dënohen ashpër rrethimet policeske të pronave private të qytetarëve. Aty fshikullohet arroganca e shtetit, për të mos përfillur vendimet pezulluese të gjykatave në favor të qytetarëve. Aty demaskohen mënyrat e shpronësimit që përdor qeveria dhe që janë shndërruar në një standart jo ligjor në të gjithë Shqipërinë. Aty argumentohet qëllimi i keq dhe mashtrimi qeveritar që pretendoi fillimisht se pallati ishte i paligjshëm e pastaj tha se ai do të hidhej në erë për t’i lënë vendin ndërtimit të lungomares. Aty vërtetohet se dinamitimi nuk u bë për interes publik, pasi projekti për fillimin vepërës së re akoma nuk kishte nisur.
Në një plan më të gjërë, Strasburgu është shprehur edhe për nëpërkëmbjen që u bëhet qytetarëve shqiptarë (të cilëve shteti fillimisht u rëmben pronën, pastaj u thotë “hajd se folim” për dëmshpërblimin) edhe për kapjen nga qeveria të gjykatës së lartë e cila pezullon vendimet për dëmshpërblim që u takojnë banorëve, qofshin këta edhe familjarë të Lulzim Bashës.
Pra, vendimi që ka ardhur nga gjykata e Strasburgut (ai duhet të zbardhet, të përkthehet dhe të lexohet me lupë) është shumë më i rëndë se ato 13 milionë euro që ne duhet të paguajmë. Në thelbin e vet, ai vizaton tabllonë e një shteti bandit, që drejtohet nga një lider arbitrar që ka vendosur vullnetin personal mbi ligjin.
Dhe në këtë kuptim dëmet e ardhshme pritet të jenë më të mëdha. Shumë shpejt, paratë që do të shkojnë në xhepat e familjarëve të Bashës, do na duken si grimca në raport me ato që pretendon ish bosi i Agon Channel, Francesco Bechetti, bizneset e të cilit u shkatërruan dhe u mbyllën me thirrjet politike të Edi Ramës. Sot shteti shqiptar po luan në gjykatat ndërkombëtare mbijetesën e tij në disa procese që mund t’i kushtojnë atij rreth 2 miliardë euro. Pra shkurt dhe shqip falimentimin e vendit.
Dhe për të shmangur këtë problem akut, shpeshherë të krijuar nga voluntarizmi, arbitrariteti dhe budallallëku grandoman i liderëve, lakejtë provincialë të kryeministrit mundohen t’i hedhin hi syve publikut, duke dashur të mbivendosin thashethemet dhe intrigat lokale, mbi problemet reale.
Kjo po ndodh edhe me procesin e pallatit të Bashës, i cili po shitet si konsekuencë e një pakti politik, ndërkohë që është një krim banditesk i Edi Ramës. /Lapsi.al/