Të dënuarit në vendin tonë do të punësohen në administratën e burgjeve dhe në sektorin privat. Objektivi është që këtë vit të punësohen 800 të dënuar.
Kështu është shprehur ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë fjalës së tij në Parlament, duke theksuar se ambicia është që vitin tjetër numri i të dënuarve të punësuar të shkojë në 2000.
“Jo vetëm strukturë, por shumë shpejt do të publikojmë dhe risitë e fundit që nuk kanë ndodhur në 30 vjet përsa i takon një sistemi mjaft të rëndësishëm. Jo vetëm në drejtim të kuadrit rregullator, por për herë në këtë vit do të kemi 800 të dënuar të punësuar si në administratën e burgjeve ashtu edhe në sektorin privat. Ambicia jonë është që vitin tjetër të shkojmë në 2000 të dënuar të punësuar.
Dhe kur e bëj një premtim publik, sepse ndoshta keni harruar, por për punonjësit me uniformë të burgjeve premtuam barazi në trajtim si kolegët e tyre në Policinë e Shtetit dhe e bëmë.
Më 1 Korrik fillojnë pagat e reja për punonjësit e policisë së burgjeve, siç kam premtuar në Korrik uniformat e reja për policinë e burgjeve”, u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.





