Në një deklaratë për mediat këtë të premte, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka kërkuar hetim disiplinor për prokuroren Elsa Gjeli, pas refuzimit nga ana e saj për të hetuar rastin e një ndërtimi pa leje në Theth. Manja tha se prokurorja Gjeli jo vetëm ishte ishte nxituar, por kishte shkelur ligjin kur arriti në vendimin të mos e hetonte rastin.
“Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, por dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit.
Prokurorja Elsa Gjeli, në datën 30.05.2025 brenda 48 orëve, nga momenti i referimit nga Policia gjyqësore e drejtorisë vendore Shkodër, të një materiali kallëzues në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të këtij parku turistik në zemër të Thethit, pa kryer asnjë verifikim apo veprim hetimor, siç edhe detyrohet nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.
Në këndvështrimin tonë, duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë”, tha Manja.
Ministri theksoi se refuzimi për të hetuar një vepër të tillë penale, por dhe veprimet e Prokurorisë Shkodër, bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi dhe pritshmëritë e qytetarëve.
“83 mandatet që shqiptarët na dhanë ne, janë më shumë se një votëbesim, janë një barrë për të reaguar shpejt, qartë dhe me vendosmëri për çdo gjë që nuk shkon dhe për të korrigjuar çdo devijim që ndodh edhe brenda institucioneve tona”, shtoi Manja.
Risjellim në vëmendje se ishte kryeministri Rama ai që denoncoi se në mes të Thethit po ndërtohej “një fshat pa leje”. Kjo solli reagimin e institucioneve dhe prishjen e disa ndërtimeve pa leje.
Ndërkohë situata i kushtoi detyrën drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe shefit të komisariatit të cilët u shkarkuan nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kreu i qeverisë ka denoncuar së fundmi fenomenin e zaptimit të hapësirave publike teksa ka paralajmëruar një reformë të re ligjore për kontrollin e territorit.





