Duke folur për një projekt të ri për trajtimin e të miturve dhe grave që kryejnë vepra penale, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se në burg nuk duhen shpënë këto kategori personash.
“Do ndërtojmë një sistem menaxhimi bashkëkohor për t'u dhënë mundësi të gjithëve. Ata që janë prapa hekurave nuk i kemi çuar në një kamp pushimi, por janë në një sistem të kufizimit të të drejtave. Synimi jonë është jo ndëshkimi, por trajtimi. Jo ndëshkimi, por integrimi. Për të arritur në një standard, drejt burgjeve të hapura, do ofrojmë kushte. Nuk kam parasysh këtu që të ftojmë njerëzit të vrasin, por detyra e shtetit është integrimi.
Jo burg për të miturit dhe jo burg për gratë. Detyra e shtetit është t’i integrojnë këto kategori sociale, pasi një i mitur në burg është fatkeqësi për shoqërinë. Jo burg i detyrueshëm, por shkolla e detyrueshme. Jo izolim me dhunë, por shkollë me dhunë, arsim profesional”, u shpreh Manjani gjatë marrëveshjes së binjakëzimit me burgjet, me Britaninë e Madhe.
Kreu i Drejtësisë foli dhe për angazhimin e të burgosurve në punë publike.





