Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, u ka kërkuar sot gjykatësve që të respektojnë oraret e gjykimit të çështjeve, edhe pse ata përballen me një numër të madh dosjesh.
Gjatë analizës vjetore për 2015-n në Gjykatën e Tiranës, Manjani tha se nevojitet një angazhim më i madh për të rritur besimin e qytetarëve.
“Një tjetër fakt që dua të theksoj është se duhet të respektohen oraret e gjykimit. Apeli është gjykata që bën realisht balancën, që anon gurin e balancës nga e mira apo e keqja me shumë shpejtësi. Nëse në Apel ne do të arrijmë të gjykojmë me shpejtësi, atëherë perceptimi do të ndryshojë. Çdo vonesë shton perceptimin për të keqen. Askush nuk do t’ia dijë që gjyqtarët janë të ngarkuar, edhe pse realisht ata kanë nga shumë çështje”.
Ai ka sjellë rastin e dy ekspertëve të tij, të cilët kanë rastisur një ditë në gjykatë me një gjyqtare, e cila bënte muhabet në korridor dhe pikërisht në atë moment duhej të ishte e pranishme në një trupë gjykuese.





