Nga Çim Peka
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka bërë një deklaratë shokuese duke i bërë presion të hapur Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e pronave, e cila është miratuar së fundmi, dhe kundërshtuar pranë Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës dhe Partia Demokratike. Manjani tha tekstualisht: “Do ishte ngërç nëse do merrej një vendim i tillë, nga ana tjetër pengimi i zbatimit te ligjit do të sillte probleme. Po u them se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të pezullojë akte… Gjykata Kushtetuese pezullon akte, por gjithmonë ato akte që krijojnë pasoja të këqija. Bllokimi i këtij ligji do të krijojë pasoja katastrofike për pronarët shqiptarë”.
Ajo që bie në sy është arroganca e pushtetit. Po të kihet parasysh se ministri i Drejtësisë është autoriteti që de jure dhe de facto po drejton procesin e Reformës në Drejtësi, merret me mend se çfarë reforme mund të bëjë një qeveri e tillë. Kush mendon se LSI-a është më e balancuar kur vjen puna tek arroganca e pushtetit, deklarata e sotme e ministrit të LSI-së, i heq përfundimisht këto aludime. Lidershipi i kësaj partie nuk ka rol balancues dhe parimor, me përjashtim kur me “qetësi dhe dashuri” i duhet t’i bëhet bllok Edi Ramës në tentativën për t’i arrestuar kryetarin e saj. Elementi i dytë i një deklaratë të tillë, është urrejtja gjenetike prej banditësh të kuq e se majtës ndaj ish-pronarëve.
Ligji i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese është ligji më antipronar i miratuar ndonjëherë në 25 vite. Përpara se të ushtrojë presion nga Gjykatës Kushtetuese, ministri i Drejtësisë duhet tu shpjegojë shqiptarëve se pse AKKP, agjenci në varësi të ministrit Manjani që nga dita e parë e kësaj qeverie ka bllokuar në mënyrë të paligjshme dhënien e vendimeve. As dhe një vendim i vetëm njohje, kthimi apo kompensimi të pronës nuk është dhënë në dy vite e gjysmë.
Nga ana tjetër, qeveria nuk ka mundur të bindë Këshillin e Europës, Gjykatën e Strasburgut dhe Komisionin Europian për një plan afat gjatë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës, dhe si pasojë Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vazhdon të japë vendime në favor të ish-pronarëve dhe në dëm të qeverisë.
Ligji në fjalë është miratuar me një qëllim të vetëm: Bllokimin e kërkesave të ish-pronarëve pranë Gjykatës së Strasburgut. Ligji i ri sjell disa risi që konsistojnë në:
i) Pezullimin e dhënies së vendimeve për një afat 5-vjeçar;
ii) gjatë kësaj periudhe AKKP do të bëjë rishikimin e të gjitha vendimeve që nga viti 1993 (në kundërshtim me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 dhe 2011);
iii) rishikimin abuziv të vlerës së pronës, duke ulur në mënyrë drastike vlerën dhe çmimin e pronës;
iv) dhe më kryesorja ndryshimi i klasifikimit të zërit kadastrat duke e kthyer atë në kohën e vitin 1946 (pra, nëse një pronë tek liqeni artificial me çmimin e sotëm kushton 57.000 lekë të reja, duke e konsideruar këtë zonë si zë kadastral tokë bujqësore siç ka qenë në vitin 1947, qeveria kërkon ta ulë vlerën e saj me 20 herë.)
Në kundërshtim me pretendimet e Ministrit të Drejtësisë, ky ligj është tërësisht kundër interesave të pronarëve. Ministri i Drejtësisë, para se të flasë duhet të konsultohet me Avokaturën e Shtetit, dhe do të mësojë qëndrimin e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me parimet e parashtruara në ligjin e miratuar. Në këtë rast Ministri do të mësonte se në vendimin e nëntorit të vitit 2015, Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar të gjitha pretendimet e qeverisë shqiptare. Dhe për ironi të fatit, pretendimet dhe argumentet e qeverisë shqiptare dhe Avokaturës së Shtetit, janë të njëjtat argumente ligjore që janë përdorur për ta miratuar ligjin e kontestuar. Përpara së Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë këtë ligj, e ka rrëzuar Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Nga ana tjetër, qeveria sot njoftoi se ka filluar kompensimi fizik. Në fakt, kompensimi fizik është zgjidhja e vetme e çështjes së pronave, por edhe në këtë rast qeveria mashtron haptazi. Mashtron ish-pronarët, publikun shqiptar dhe Gjykatën e Strasburgut. E para, nuk ka fond të mjaftueshëm për kompensimin fizik, e dyta ka dhe 11 mijë vendime të patrajtuara, e treta nuk mund të fillojë procesi i kompensimit fizik pa përfunduar procesi i njohje së pronës, dhe çfarë është më kryesorja, fillimi i procesit të kompensimit fizik bie ndesh me vetë ligjin e miratuar nga qeveria e majtë.
Dhe së fundmi, jo rrëzimi, por miratimi i këtij ligji jo vetëm dëmton pronarët, shoqërinë shqiptare, por hedh në erë atë çfarë është bërë me pronën në 23 vjet. Hedh në erë parimin e sigurisë juridike (të cilën Manjani e kupton si jurist), kthen procesin në pikën zero, ri-shtetëzon pronën, dhe largon një herë e përgjithmonë ë investimet e huaja direkte në Shqipëri.
Marrë nga “Syri.net”





