Ministi i Drejtësisë, Ylli Manjani,  gjatë vizitës në Gjermani zhvilloi takime me këshilltarë të kancelares Merkel dhe deputetë gjermanë, ku temë qendrore e bisedimeve ishte reforma në drejtësi.

Në takime, Manjani ka falenderuar Gjermaninë për mbështetjen në këtë drejtim dhe ka deklaruar se rritja e ekspertizës gjermane në realizimin e kësaj reforme është e mirëpritur. 

“Ekspertiza gjermane nuk ka qenë e përjashtuar. Ajo që kemi biseduar këto ditë është kërkesa ime që modeli kroat të jetë sa më prezent në Shqipëri, që është një model i cili ka funksionuar atje. Dhe ne nuk kemi pse të shpikim rrotën, sepse e kanë shpikur të tjerët para nesh. Nga kjo pikëpamje ai model që Gjermania ka dhënë në Kroaci është krejt i mirëpritur edhe në Shqipëri dhe nuk ka ndonjë ndasi të modelit amerikan apo evropian. Edhe evropianët edhe amrerikanët janë në bord. Amerikanët janë dakord me këtë qasje, ndaj nuk kemi ndonjë përplasje kulturash. Përkundrazi gjërat janë komplementare. Ajo që duhet të bëjmë ne është kjo: që të bindim veten njëherë e mirë, që me një marrëveshje konsensuale t'i hapim rrugë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese reformave më të thella që do të pastrojnë sistemin”, thotë për DW, ministri Manjani.