Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u ka bërë thirrje prokurorëve të zbardhin çdo dosje ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, qofshin këta edhe ministra.
Duke folur në aktivitetin e Unionit të Prokurorëve për reformën në drejtësi, Manjani u shpreh se krimi në rrugë dhe në zyrat e shtetit duhet të dënohet njësoj.
“Ftesa ime për shërbimin e Prokurorisë ka qenë të zbardhin dosjet edhe për çdo zyrtar të akuzuar, ministra e çfarëdo qoftë ai. Dhe nëse prokurorët stepen, nuk ka reformë që i bën fajde kësaj gjëje. Krimi në rrugë dhe krimi në zyrën e shtetit duhet të ndëshkohet, nga unë i pari. Dhe këtë nuk e diskutojmë fare. Po bëri këtë Prokuroria, e ka zgjidhur çështjen e besimit që mungon sot. Kështu që punë të mbarë dhe jetë të gjatë”, tha ministri Manjani.