Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka reaguar sërish pas vendimit të Presidentit Ilir Meta, për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manjani ka hedhur në tavolinë, datat për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare.
Sipas tij, 14 ose 21 korrik mund të ishin një opsion për zgjedhjet lokale, ndërsa shprehet se për ato parlamentare, periudha shtator-tetor është periudha e duhur.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës shfuqizoi dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Ky vendim u publikua pak para se të fillonte protesta e opozitës, për të cilën thuhej se do të ishte e dhunshme. Vendimi i Metës u kundërshtua nga Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.
Reagimi i plotë:
Si datë të re zgjedhjesh lokale mund të ishin datat 14 ose 21 korrik.
Është krejt e mundshme pa sforco ligjore, sepse nga pikpamja Kushtetuese nuk ka asnjë problem.
Por insistoj, vendit i duhet sa më parë Parlamenti pluralist!
Kështu që vendi duhet të bëhet gati për zgjedhje parlamentare në vjeshtë. Shtator-Tetor është periudha e duhur…
Këtë gjë planifikonte të bënte edhe Rama, por e kishte në plan pa opozitën….
Pa opozitë nuk ka zgjedhje!
Tani është koha për ndonjë hap pas dhe për t’u përgatitur për të dy palët e zgjedhjeve!





