Gjatë analizës vjetore të KLSH-së ku i pranishëm ishte dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ai u shpreh dhe njëherë kundër nismave të qeverisë për të futur këdo në burg për çdo shkelje ligji.

“Ende nuk kemi hequr dorë nga parimet e drejtësisë popullore. Sapo del në televizor, shpallesh fajtor. Kjo është praktikë komuniste 24 karatshe.

Flasim burg, burg, burg, por në fakt burgu nuk është zgjidhje. Ne kemi më shumë persona të arrestuar sesa të dënuar. Ky nuk është sukses i drejtësisë penale. Por ka një zgjidhje që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti, në mënyrë konsensuale shumë shpejt do t’i ofrojë Prokurorisë Shqiptare, KLSH-së dhe kujtdo denoncuesi tjetër të pavarur që të hetojë krimin e organizuar dhe në mënyrë të veçantë korrupsionin e qeverisë.

Ne do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë që përfundimet e KLSH-së dhe jo vetëm, të jenë të hetueshme, qoftë dhe pa emra. Nuk ka nevojë për kallëzime.
Do ta bëjmë në mënyrë konsensuale që nesër askush mos të ketë fytyrë që të thotë po ma bëjnë politikisht. Do ta bëjmë siç e ka bërë Rumania, Kroacia, ne të marrim modelet e tyre dhe t’i korrigjojmë gabimet”, deklaroi Manjani.

Prezantimi i raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit u mbajt paraditen e stome te Muzeu Kombëtar.