Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka reaguar rreth çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës.
Sipas Manjanit mandati i deputetit në asnjë rrethanë nuk është imunitet për bizneset e bashkshortit, “aq më pak të kompanive të tij/saj. Secili subjekt përgjigjet para ligjit për hesap të vet.”
Postimi i plotë i Manjanit:
Pyetja themelore që shtrohet në rastin “Xhaçka” është:
A mundet që një deputet të humbasë mandatin, nëse kompania ku bashkshorti është ortak përfiton një leje ndërtimi, statusin e investitorit strategjik, liçesë apo çdo të drejtë tjetër reale që buron nga ligji?!
Kushtetuta në nenin 70.3 përcakton se:
“Deputeti nuk mund të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri prej tyre”.
Pra deputeti vetë nuk mund ti kryejë këto veprimtari. Pyetja është po kompania e bashkëshortit, dmth as bashkshorti jo por një subjekt tjetër ligjor?!
Ky është thelbi i kësaj çështje që shmanget, nuk trajtohet,fshihet, shtyhet, mbulohet me pisllëqe proçedurale dhe, me thënë të drejrën me sjelljen harbute të Oltës në publik.
Publiku nga kjo çështje nuk merr informacionin real që i intereson, por mban mend vetëm e lagu apo s’e lagu Parlamenti Gjykatën Kushtetuese, ose kjo e fundit ja ktheu apo jo xhevapin. Debat edhe me deklarata publike madje… hajde,hajdeeee!
Në këtë lojë teatrale procedurash merr pjesë edhe Opozita, për fat të keq!
Skenar maskimi perfekt.
Por thelbi është ende aty, i patrajtuar dmth. Mendoj se trajtimi i thelbit të kësaj çështje është interesi madhor publik.
Frika ime është se argumentet populiste do zënë vend edhe në gjykimin zyrtar të kësaj çështje. Teoria e miksimit të parimit kushtetues me ligjin e familjes, apo me lesh-e-li ligjin e konfliktit të interesit që përdorin disa komentues, mund të çojë në arsyetime dhe konkluzione të gabuara. Mandati i deputetit është çështje kushtetuese, jo familjare divorci. As konflikti i interesit nuk çon në heqje mandati. Mund të çojë në ndjekje penale, por jo direkt tek mandati i deputetit.
Po kthehemi prap tek thelbi. Mendoj se është Deputeti ai/ajo që nuk mund të bëjë biznes me pasurinë publike, jo kompania e bashkortit. Këtë e thotë Kushtetuta. Kjo është llogjika e arsyeshme. Kështu funksion gjithandej, nëse doni t’i referohemi edhe dynjasë.
Ndërsa populistët të tipit hoypolloy sugjerojnë të kundërtën. Ata e duan deputetin dhe familjen e tij/saj të dalë në rrugë të lypë.
Kjo çështje në thelb ska të bëjë me Olta Xhaçkën, por me filozofinë politike që duhet të drejtojë punët e shtetit.
Olta mund të mos e meritojë mandatin për shumë arsye. Ajo fjala vjen nuk dha kurrë llogari për sjelljen e saj zyrtare si ministre e Jashtme dhe veçanërisht si e Mbrojtjes ku ka dhe hetime të çelura.
Por të kërkosh të vendosësh një preçedent kushtetues krejt anapolla për t’i bërë qejfin turmave, kjo është e papranueshme. Ashtu siç po aq e papranueshme është që t’i fshihesh këtij diskutimi me procedura.
Njëkohësisht, mandati i deputetit në asnjë rrethanë nuk është imunitet për bisneset e bashkshortit. Aq më pak të kompanive të tij/saj. Secili subjekt përgjigjet para ligjit për hesap të vet.
Por ky diskutim, pra mbi thelbin kushtetues të problemit, duhet çelur dhe me shpresë që të triumfojë llogjika, kushtetuta, arsyeja dhe jo hoypolloy, dmth politika populiste.