Manjola Nallbani, e rikthyer pas shumë vitesh në Festivalin e Këngës në RTSH, tri ditë pas finales, ka reaguar publikisht përmes një statusi në llogarinë e saj në Instagram. Arsyen e këtij reagimi publik Manjola e justifikon me falënderimet e mbështetësve të saj, fansave dhe dashamirësve, bashkautorëve të këngës, por edhe për shkak të një meraku që ajo nuk e ka lënë pa e shprehur.

Siç shkruan, Nallbani nuk ka asgjë me Gentin dhe këngën e tij fituese “Mall”, por, ndryshe nga shumë këngë të tjera të mira në festival, ajo kishte dëgjuar për këngën e Gentit që para 20-ditësh që do ishte fituese.

Ndryshe nga të gjithë, në përfundim të këtij festivali, që mendonin se kënga e Gentit ishte e merituar, e zgjedhur me votë unanime nga juria dhe publiku, por edhe jo një këngë e paracaktuar si fituese, Manjola specifikon se, në fakt, “Mall” paska qenë e paracaktuar si fituese. Sipas saj, derisa u tha çmimi i parë, ajo nuk pati asnjë surprizë, ndaj rikthimin e vet në këtë skenë e quan të nxituar. Për më tepër, duke iu drejtuar jurisë, Manjola shkruan se ajo akoma nuk e di e sata është renditur në këtë festival.