Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në pranga një 30-vjeçar të shpallur në kërkim për vjedhje dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
I arrestuari është shtetasi me iniciale D.C. Fillimisht ndalimi i tij u bë për shkak të manovrave të rrezikshme që po bënte në rrugë me makinën e tij.
“Efektivët e Policisë të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë marrë informacion se në rrugën “Teodor Keko” një automjet po bënte manovra të rrezikshme dhe menjëherë i janë vënë në ndjekje. Edhe pse drejtuesi i mjeti theu rregullat e qarkullimit, nuk mundi të largohej, pasi u prangos nga shërbimet e Policisë Rrugore”, thotë policia.
Më pas nga verifikimit rezultoi se shtetasi D. C ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Tepelenë, pasi dyshohet si autori i vjedhjes së një supermarketi në Memaliaj, në nëntor të 2019-s, si dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, shpallur në kërkim nga Policia Kufitare e Korçës, e cila e ka ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë, të cilën ky shtetas nuk e ka paguar.
Njëkohësisht, ky shtetas u ndëshkua edhe me masë administrative nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore.





