Në zemrën e qytetit historik të Mantovës, mbi ujërat e qeta të liqenit, u zhvillua një ceremoni me rëndësi të madhe ekonomike dhe diplomatike. Në bordin e një anije turistike u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për shkëmbimin e mallrave mes portit “Valdaro” të Mantovës dhe portit të Durrësit, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin tregtar mes Italisë dhe Shqipërisë.

Marrëveshja pritet të sjellë një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, duke afirmuar Portin e Valdaros si një nyje kyçe për transportin lumor dhe tokësor dhe një pikë strategjike për tregtinë me Ballkanin.

Presidenti i Provincës së Mantovës, Carlo Bottani, theksoi se është hera e parë në historinë e Italisë që një marrëveshje e tillë tregtare nënshkruhet me një shtet tjetër.

“Sot nisim një rrugëtim të ri. Këtë rrugëtim e ka kërkuar jo vetëm rajoni i Lombardisë, por edhe qeveria jonë që po punojnë fort në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të ndërtuar ura bashkëpunimi në nivel kulturor, social dhe ekonomik, siç edhe kërkon plani Mattei”.  

Drejtori i portit “Valdaro” të Mantovës, Gabriele Negrini, dhe drejtori financiar i portit të Durrësit, Donjet Zeneli, shprehën vlerësimin e tyre për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm për implementimin e marrëveshjes.

“Në portin e Durrësit kemi gjetur partnerin e duhur jo vetëm për shkëmbimin e mallrave, por edhe për shkëmbimet kulturore dhe njohjet reciproke mes dy vendeve tona. Përmes shkëmbimit tregtar, korridoreve që do të krijohen mes provincës sonë dhe Durrësit, do të zhvillojmë më tej edhe lidhjet vëllazërore mes nesh, të cilat i forcojmë me marrëveshjen që nënshkruajmë sot”,- deklaroi Negrini.

“Jam i nderuar që gjendem këtu për të firmosur këtë marrëveshje bashkëpunimi. Nuk është vetëm një marrëveshje zyrtare, por është një impenjim që i hap rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë në të ardhmen”,- tha drejtori financiar i portit të Durrësit, Donjet Zeneli.

Firmosja e kësaj marrëveshjeje u arrit edhe falë kontributit të Ambasadorit të Kombit shqiptar Petrit Kozeli, që prej vitesh ka ndërtuar ura lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë. I njohur si “italiani i Shqipërisë dhe shqiptari i Italisë”, Kozeli nuk është vetëm një mjeshtër artizan, por edhe një diplomat në shpirt.