Manuel Neuer e festoi ndeshjen e 700 si profesionist në karrierë me një fitore emocionuese në “Old Trafford” përballë Manchester United.
Bayern Munich fitoi 1-0 dhe dërgoi “Djajtë” në ferrë në një ditë të veçantë për Neuer, i cili në fakt nuk ishte në dijeni.
“Nuk isha në dijeni të këtij fakti. Jam në formë. Nuk prisja që gjërat të funksiononin aq mirë pas dëmtimit që më mbajti jashtë fushave për shumë kohë. U ktheva me ritmin tim dhe vazhdova pa pasur nevojë të pushoja. Jemi shumë të lumtur. Unë u jam shumë mirënjohës mjekëve”, u shpreh Neuer, i cili gjithashtu e konisderoi këtë sukses si reagim pas turpërimit nga Frankfurti.
“Ishim shumë të zemëruar me paraqitjen tonë në Frankfurt kundër Eintrachtit ku humbëm 5-1, por reaguam mirë. Trajneri është i kënaqur, ai na tha se ndihej krenar për ne, pasi dhamë gjithçka në fushë. Ne dhamë gjithçka dhe kjo është arsyeja pse fituam. Ne duhet të japim gjithçka nga vetja. Ne kemi një ekip që mund të konkurrojë patjetër për titullin kampion”, shtoi portieri gjerman.
Neuer është pjesë e Bayernit prej verës së vitit 2011, kur u transferua nga Schalke 04 për 30 mln euro. Gjatë këtyre viteve, ai ka fituar 28 trofe me klubin më të madh në Gjermani.





