Në kushtet e temperaturave shumë të larta, Manza po mbytet nga plehrat urbane të cilat kanë zaptuar edhe kanalet kulluese dhe vaditëse, ndërsa pritet një zgjidhje përfundimtare për këtë katastrofë mjedisore që nuk ka të sosur.

Përtej problemit të diktuar nga bllokimi i depozitimit të mbetjeve të bashkisë së Durrësit në landfillin e Sharrës, banorët deklarojnë se vuajnë ndotjen e vazhdueshme të mjedisit.

Plehrat hidhen rëndom në kanalet e ujërave të larta dhe në përrenj. Ujërat e zeza derdhen gjithashtu në to dhe së bashku përfundojnë në Adriatik, ndërsa banorët ankohen dhe për mungesën e kazanëve të mbetjeve.      

“Tymi, era e keqe shpërndahet kudo. Fëmijët janë të vegjël e dalin të luajnë. Nuk e di kur do t’i jepet zgjidhje këtij problemi të madh. S’ka as kazana. Fshati ynë nuk ka kazanë“.

“Këtu derdhen ujërat e zeza e mbeturinat dhe tani në verë me zor marrim frymë. S’ka ajër”,- thonë banorët.

Banorët po përballen me një situatë aspak normale, teksa jetojnë mes plehrave, që u rrezikojnë seriozisht shëndetin e tyre dhe në një kohë më afatgjatë edhe në jetën e tyre.

Shqetësuese është tej mase në Manëz situata e mbetjeve, sepse hidhen vend e pa vend. Ujërat e zeza derdhen në kanalet dhe përrenjtë e zonës. Dihet që jemi në fshat dhe prodhojnë zarzavate dhe fruta vetë që ujiten po me këtë ujë.

Nga Maminasi deri në Shkafane plehrat janë në sipërfaqe. Ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë janë tejet të ndotur.

Në këtë situatë kritike, përtej problemeve financiare të bashkisë, banorët kërkojnë mirëmenaxhimin e mbetjeve urbane.

Si taksapagues të rregullt kërkojnë shërbime dhe mundësi reale për të jetuar si njerëz, në siguri për shëndetin e tyre që rrezikohet nga mbetjet urbane prej vitesh.

Në këto temperatura të larta. Covidi nuk është asgjë dhe plagët, pasojat e këtyre mbetjeve do të trashëgohen dhe te brezat që vijnë.”

 “Shqetësimi ynë janë plehrat, pisllëku dhe vijnë e na i hedhin të gjitha këtu. Ne këtu jetojmë,”– thotë një banorë tjetër.

Bashkia e Durrësit ka deklaruar se, deri në nënshkrimin e kontratës mes bashkisë dhe landfillit të Sharrës, po përpiqet të gjejë zgjidhje të tjera teknike dhe ligjore për të depozituar mbetjet në landfille të miratuara, por në territorin e bashkisë Durrës nuk ekzistojnë landfille të ligjshme. Ndaj mbetjet depozitohen dhe digjen ngado, larg çdo standardi dhe ligjshmërie, duke rrezikur shëndetin e banorëve.

“Është një zonë e bukur, zonë me diell dhe që prodhon gjithçka dhe që lidhet me zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, por që nuk është aspak e shëndetshme për këdo që jeton dhe e frekuenton zonën”,- shprehet një banorë i zonës.

Në këto kushte, nisma “Manza pa mbetje” mbështetur nga Lëviz Albania shihet si një mundësi e mirë nga banorët për të vënë në lëvizje pushtetin vendor dhe larguar ndotjen nga mbetjet në një zonë me potencial turistik.