Dikur bashki, sot Manza është një nga pesë njësitë administrative të bashkisë së Durrësit, e dyta në vend për nga rëndësia dhe numri i banorëve. Ashtu si i gjithë territori i Durrësit edhe Manza po përballet me sfida të forta gjatë dy viteve të fundit. Emergjenca mjedisore, tërmeti dhe pandemia e tronditën fort atë. Me mbi 11 mijë banorë në një sipërfaqe prej 43,2 km2, Manza kërkon vëmendje dhe zgjidhje të problematikave të shumta mjedisore që ka dhe që lidhen drejtpërdrejt me keqmenaxhimin e mbetjeve urbane në territorin e saj.  

“Momentalisht situata e mbetjeve në Manëz është shumë kritike. Siç e shihni dhe ju ka mbetje gjithandej dhe sigurisht me shtimin e tyre edhe jetesa bëhet më e vështirë për qytetarët, vendasit e zonës dhe duhen marrë masa sa më shpejt për t’u përmirësuar gjendja”, shprehet një vajzë e re. “Shumë shqetësim. Tymi, era e keqe shpërndahen kudo. Fëmijët janë të vegjël e dalin të lozin si në fshat dhe nuk e di se kur do t’i jepet zgjidhje këtij problemi të madh që kemi. S’ka as kazanë. Ja, kanë 5 ditë që kanë dalë aty dhe… komplet ky fshati ynë nuk ka fare kazanë”, shpjegon një banore tjetër.

Shpesh banorët improvizojnë vend-hedhje si ky me tulla për të ndalur hedhjen e plehrave vend e pavend, në mungesë të kazanëve. Reforma administrative-territoriale duket se ka rritur distancat mes komuniteteve në zonat rurale dhe të zgjedhurve në krye të bashkisë. Banorët e Manzës i konsiderojnë të vështira raportet me institucionet, jo vetëm për shkak të distancës fizike, po dhe të apatisë qytetare.

“Asnjë s’e ka marrë iniciativën për të bërë një ankesë, sepse kurrë nuk grumbullohen. Kurrë nuk bëhen 2 apo 10 veta bashkë që të ankohen. Nuk e di ku është problemi”, shprehen banorët.

Sado i dobët, zëri i tyre erdhi duke u forcuar. Nisma qytetare për një Manëz pa mbetje nisi të marrë krahë. Në qershor 2020, kur Manza nisi të shndërrohet në një kazan gjigand mbetjesh urbane edhe për qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij, banorët u bënë bashkë për t’i thënë “JO!” tonelatave të tëra me plehra. Blloqe betoni me mbishkrimin Stop Mbeturinave! qëndrojnë stoike në hyrje të venddepozitimit të paligjshëm.

Për të mbërritur deri këtu, në Grykë-minierë siç i thonë vendasit duhet të kalosh nëpër një rrugë të keqe fshati që kamionat e rëndë të plehrave e kanë dëmtuar edhe më shumë. Në distancë, shfaqet një kurorë e gjelbër masive. Duket se e gjithë zona ka një potencial të madh jo vetëm bujqësor, por edhe turistik. Megjithatë vendgrumbullimi i paligjshëm i mbetjeve urbane është ende aty. Shtëpia e Fatmir Tafës ndodhet nën hijen e tij të rëndë.

“Këtu nuk jetohet. Nëse këtu do të vijnë sërish mbeturinat i bie që ta dorëzoj fare shtëpinë, a nuk e di fare. Nuk e imagjinoj ku mund të rri. Vetëm 50 metra larg.”, shprehet banori Fatmir Tafa. Toksinat e çliruara nga djegia e mbetjeve ne këtë venddepozitim nuk janë harruar ende. Edhe pse falë angazhimit qytetar, depozitimi në të u ndërpre, ndotja vazhdon përmes mbetjeve që ngelën dhe ujërave nëntokësorë dhe sipërfaqësorë. Bashkëjetesa duket problematike, ndërsa pasojat e saj kanë një shtrirje të konsiderueshme në hapësirë dhe kohë. Jo vetëm te banorët e Manzës që përdorin produktet dhe ujin e kësaj zone për vaditje, por edhe te vizitorët e Manzës me dalje në detin Adriatik, si dhe te konsumatorët e shumtë të metropolit shqiptar, që konsumojnë gjerësisht produktet bujqësore dhe blegtorale të zonës. “Aty ballë për ballë vetëm ndotja, ja kjo rrjedhja e pisllëkut që del llum i zi dhe bie në përrua dhe ky lidhet me Gjirin e Lalëzit e gjithë bregdetin. Këtu vadisin e marrin ujë të gjithë dhe nga llumi këtu vaditen të gjitha perimet që përfundojnë në treg e i konsumojnë të gjithë njerëzit.”, shpjegon Tafa.

Vjeshtën e një viti më parë, një mësues në pension nga Manza u bë një nga nismëtarët e “Manza pa mbetje”, një nisëm qytetare kjo e mbështetur nga Lëviz Albania për të angazhuar qytetarë të njësisë administrative dhe për t’u bërë bashkë, si një zë i vetëm në zgjidhjen e problemit të mbetjeve urbane dhe përmirësimit të jetës në komunitet. Pandemia dhe Covid-19 e shuan zërin e tij të fortë, po nuk e ndalën nismën.

Takimet ndërgjegjësuese në komunitet nisën në fillim të vitit 2021, duke zgjuar interesin e banorëve të zonës, po dhe njëfarë frike. Apatia qytetare, e diktuar edhe më shumë nga situata pas-tërmetit dhe të qenit një vit elektoral ngriti sërish krye. Po ata nisën t’i japin zë problemeve dhe mbi bazën e tyre u hartua një peticion që iu dërgua kryetares së bashkisë dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak Durrës. Nisma u përkrah. Gjatë takimeve, banorët ngritën dhe mjaft probleme të tjera, që lidhen me keqmenaxhimin e mbetjeve urbane. “Mbetjet vazhdojnë të digjen rrugës dhe mungesa e kazanëve është një tjetër problem i ngritur nga banorët”, thotë Alisa Peçi, eksperte e mjedisit. Ndërsa Vlash Doda, drejtor i shkollës Armath, Manëz shton se; “Ajo që do të kërkoja unë është sigurimi i sa më shumë kazanëve dhe koshave të mbeturinave në të gjithë zonën e Manzës, pasi janë shumtë të paktë. Kjo shpesh na sjell që njerëzit marrin mbetjet që nga Gjiri i Lalëzit dhe i hedhin pranë shkollës, ose në ambiente të tjera të fshatit. Kjo krijon shqetësim dhe ndotje shumë të madhe të ambientit.”

Në mungesë të kazanëve, mbetjet depozitohen rëndom në përrenj e kanale vaditës që derdhen në det duke e shtuar frikshëm nivelin e ndotjes. Takimet ndërgjegjësuese dhe dorëzimi i peticionit u pasuan nga të tjera aksione dëshmi e angazhimit qytetar, që i kapërcen edhe parashikimet. Peticioni vuri në lëvizje bashkinë dhe marrja përsipër e angazhimeve dhe pse vonoi, nuk mungoi. Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako premtoi se do të ketë përparësi rehabilitimi i vendgrumbullimit të paligjshëm të Manzës dhe vendosja e kazanëve në lagjet e fshatrat e Manzës. “Ne do të marrim masat për të hartuar projekt për rehabilitimin e tyre. Aktualisht nuk depozitohet asnjë mbetje në të”, shprehet Sako, e cila shton se “nevoja për kosha, patjetër do të plotësohet. Është bërë një llogaritje për koshat që janë të nevojshëm të shtohen dhe këto do të buxhetohen”.

Përgjigjja zyrtare për peticionin u pasua nga një takim i të rinjve të Manzës me Kryetaren e Bashkisë, e cila u njoh drejtpërdrejt me problemet mjedisore që shqetësojnë banorët e kësaj njësie administrative. Të rinjtë kërkuan që mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta urbane të jenë përparësi jo vetëm në qytetin e Durrësit, po dhe në zonën e tyre të banimit për të ulur ndotjen dhe përmirësuar jetesën në komunitet. Të rinjtë ndanë me znj. Sako dëshirën për të studiuar dhe qëndruar në vendin e tyre, ndaj mundësitë për zgjidhjen e problematikave mjedisore sot, sipas tyre, janë edhe investimi më i mirë për brezin e ri, që të mos largohet i dëshpëruar nga vendi. Edhe gjatë këtij takimi, Sako premtoi se vendgrumbullimi i paligjshëm në Grykë-minierë jo vetëm që nuk do të riaktivizohet më, por ai do të rehabilitohet së shpejti. Ajo tha se do të buxhetohet edhe vendosja e koshave për mbetjet urbane në fshatrat e Manzës ku nuk ka fare, si dhe do të shtohen në zona të tjera, duke iu përgjigjur kështu nevojave të komunitetit, i cili duhet të jetë më bashkëpunues për një mjedis të pastër.

“Shpesh ndodh të presim nga të tjerët. Çfarë bëri shteti, çfarë bëri bashkia? Duhet të jemi ne të parët dhe të jemi të gatshëm ta pastrojmë vetë ambientin, ndërsa organet qeveritare kanë pjesën e tyre”, thotë drejtori i shkollës.

Në pritje të rezultateve konkrete edhe të rinjtë premtuan se do të aktivizohen vazhdimisht në aksione pastrimi, jo vetëm në Manëz, por edhe në zona të tjera të territorit të Durrësit, ndërsa do të përfshihen edhe në ndërgjegjësimin e familjarëve dhe shokëve të tyre për rolin e gjithsecilës palë në mbrojtje të mjedisit.  Gjatë këtij viti, nisma “Manza pa Mbetje” u mbështet edhe nga Zyra Vendore e Arsimit Durrës dhe drejtuesit e shkollave të Manzës. Nxënësit e shkollës së mesme Manëz dhe ata të shkollave 9-vjeçare Armath dhe Kuçok u bënë bashkë për të pastruar ambientet përreth shkollave të tyre, në komunitetin ku jetojnë dhe mësojnë. Mësuesit gjithashtu. “Duke ruajtur distancën do të shpërndaheni të pastrojmë territorin e komunitetit ku jetojmë. Problemi është se këtu nuk ka shumë kosha ku të hidhen mbetjet, po dhe atje ku ka shihni si është!”, shprehet Elda Aliaj, drejtore e gjimnazit Manëz.

Përmes veprimeve konkrete, nxënës e mësues  përcollën mesazhe të rëndësishme në mbrojtje të mjedisit dhe Manzës së tyre. ”Mendoj që është gjëja më e mirë që kemi bërë deri tani. Nuk mund të jetohet me mbeturina kudo sepse ndikon në shëndetin tonë dhe kush më mirë se ne mund ta pastrojë që të mos kemi pasoja në shëndet”, thonë nxënësit. ndërsa shtojnë se; “Po ndryshuam veten, do të ndryshojmë dhe situatën në të cilën jetojmë. Ndryshimi nis nga ne në radhë të parë. Dhe kur e nisim ne të rinjtë, që jemi brezi në rritje është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme”.

Të rinjtë, po dhe prindër e edukatorë të tyre që u përfshinë në këtë nisëm, tashmë e kanë të qartë se vetëm duke qenë të bashkuar do të mund të adresojnë problemet dhe të angazhohen për zgjidhjen e tyre dhe për të drejtën për të jetuar në një komunitet sa më të pastër, sot dhe nesër, duke i dhënë mundësi një zhvillimi të qëndrueshëm në Manzën e tyre.