Maqedoni, 5 gusht 2014 – Vijon të mbahet ende në morgun e spitalit të Dibrës së Madhe trupi i pajetë i Artur Tafanit, që kishte ndryshuar emrin në Miljan Elezi, personit që dyshohet se mbeti i vrarë gjatë grabitjes së dhunshme të 29 korrikut të këtij viti.
Pala maqedonase refuzon të lëshojë trupin e 35-vjeçarit derisa të përfundojnë hetimet paraprake mbi rastin e mësipërm. Njëkohësisht saktësohet se pala e maqedonase ka kërkuar autoriteteve të vendit tonë të bashkëpunojnë në hetimin për identifikimin e personave që ishin bashkëpunëtorë të viktimës.
Ndërkohë të afërmit e viktimës pretendojnë se djali i tyre nuk mund të ishte për asnjë arsye pjesë e atij grupi grabitësish. Ata kanë hedhur dyshimin që djali i tyre mund të jetë vrarë dhe trupi i tij të jetë hedhur në anën tjetër të kufirit.
Në lidhje me situatën e krijuar pas marrjes së lajmit se trupi i pajetë i gjetur në kufi me Shqipërinë i përket 35-vjeçarit nga Elbasani, Artur Tafani, “Shekulli” kontaktoi kreun e Bashkisë së Belshit, Asqeri Kushen, i cili shprehet i habitur në lidhje me gjithçka është folur këto ditë për atë familje. Pavarësisht se për të viktima është një person i panjohur, meqë ka jetuar për gjatë gjithë kohës jashtë vendit, në lidhje me familjen e tij, kryebashkiaku saktësoi se janë njerëz të respektuar, të urtë dhe punëtorë.
Asqeri Kushe ka rrëfyer se është në dijeni të asaj çka ka ndodhur por që nuk është ende në gjendje që të japë një version të plotë mbi ngjarjen për sa kohë nuk kanë folur organet kompetente. Ndërsa në lidhje me aktivitetin e të vrarit në Dibër të Madhe, Artur Tafanit, kryebashkiaku nuk di të qartësojë pozicionin e tij, pasi është i panjohur për të, por ai flet për njohjen që ka me familjen e tij. “ Të jem realist, atë e njoh pak, pasi ai ka qëndruar gjithnjë në emigracion. Di që janë një familje mjaft e mirë dhe të urtë. Di që ishin tre vëllezër dhe se ky djali kishte pak kohë që ishte kthyer nga Greqia. Nuk di të them më shumë, por askush në Blesh nuk i njeh për njerëz problematik, flas për familjen e tij”,- thotë Kushe.
Ndërkohë policia e Elbasanit ka nisur hetimet edhe në pistën e vrasjes së 35 vjeçarit nga Belshi. Duke patur parasysh faktin që familjarët dhe të afërmit e viktimës kanë përjashtuar faktin se djali i tyre të jetë grabitës dhe aq më tepër në një grup të armatosurish, ata kanë ngritur dyshimin se ai edhe mund të jetë vrarë dhe të jetë hedhur në kufirin maqedonas pikërisht për të humbur gjurmët e grabitjes.
Ndonëse ende nuk Policia e Shtetit nuk ka dalë në ndonjë version zyrtar për ngjarjen, burimet saktësojnë se po punohet në mënyrë intensive për të sqaruar rrethanat e plota të krimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





