Pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë maqedonase kanë dëbuar drejt territorit grek refugjatët që kaluan ilegalisht kufirin me Maqedoninë gjatë ditës së hënë. Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për rreth 2 000 refugjatë të ndarë në dy grupe, që pasditen e së hënës arritën të kalojnë në këmbë kufirin, pa lejen e autoriteteve maqedonase.
Vendimin për kthimin e tyre në Greqi e ka marrë komiteti qeveritar për menaxhimin e krizës së refugjatëve, për shkak të pamundësisë për strehimin e tyre, por edhe për shkak të mbylljes së “rrugës ballkanike” për vijimin e mëtejshëm të refugjatëve drejt Europës Perëndimore. Bashkë me refugjatët, që kishin hyrë në territorin e Maqedonisë në mënyrë ilegale, ishin edhe 72 gazetarë të huaj, të cilët janë gjobitur nga autoritetet maqedonase me nga 250 euro, për kalim të paligjshëm të kufirit.