Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Agim Nuhiu, tha se do të kërkojë dorëheqjen nga posti që mban prej katër muajsh si shenjë përgjegjësie për dhunën e mbrëmshme në Parlament pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të parë shqiptar në vend.
“Ndjej përgjegjësi morale, për këtë periudhë katër mujore aq sa jam në krye të MPB-së nuk arrita ta mënjanoj politikën nga struktura udhëheqëse në MPB. Për këtë arsye do të kërkoj tërheqjen time nga posti i ministrit të Brendshëm”, tha Nuhiu i cituar nga “Alsat-M”.
“Unë si ministër kam insistuar që të formohet shtab operativ dhe në të ishin të kyçur persona nga të gjitha fushat e MPB-së. Për udhëheqës i shtabit ishte zgjedhur Mitko Çavkov. Mbrëmë nga momenti i eskalimit të situatës deri në ora 22:00 udhëheqësi i shtabit operativ, Mitko Çavkov nuk ishte i kapshëm për mua edhe pse e kërkova edhe përmes telefonit por edhe në shtabin operativ”, tha ai.
Nuhiu tha se për fat të keq shihet qartë se në strukturat e MPB-së ndikimi politik ka rol të madh që është për çdo dënim.
“Një pjesë e të punësuarve në MPB, në vend që të respektojnë ligjet dhe t’i kryejnë detyrat e tyre, kanë vepruar nën urdhrat e qendrave politike diçka që kërkon dënim dhe sanksione. Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të kërkoj përgjegjësi ndaj të gjithëve atyre që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshi edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ.”
Ai i bëri apel edhe Prokurorisë Publike që në mënyrë aktive të punojë dhe sa më shpejt t’i zbardhë këto ngjarje.