Ambientalistët në Maqedoni kanë vënë alarmin, pasi Gjykata Administrative, në Shkup, ka lejuar ndërtimin e hidrocentralit të Urës së Boshkut. Pavarësisht thirrjeve edhe nga Komiteti i Përhershëm i Konventës për Ruajtjen e Florës dhe Faunës së Egër dhe Mjedisit Natyror të Evropës 1979, vendimi i Gjykatës Administrive nuk ishte ai që pritej. Projektet e Maqedonisë për shfrytëzimin e ujërave në Luginën e Radikës çuan deri edhe në acarimin e marrëdhënieve Tiranë – Shkup, në janar të vitit 2014. Gjykata Administrative ka shfuqizuar lejen mjedisore për hidrocentralin e Fushës së Lukovës, ndërkohë që ka lënë në fuqi lejen mjedisore për hidrocentralin e Urës së Boshkut. Ambientalistët theksojnë dëmet në mjedis nga ky hidrocentral janë edhe më të mëdha se sa dëmet që do të shkaktonte hidrocentrali i Fushë së Lukovës, ndërkohë që konflikti me Tiranën për përdorimin e ujërave ndërkufitare mbetet ende i pazgjidhur.

11 dhjetor 2015, vendimi i Gjykatës Administrative

Në vitin 2012, në bazë të një kërkese nga kompania shtetëore maqedonase e prodhimit të energjisë elektrike ELEM, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Urban miratoi dy leje mjedisore, për hidrocentralin e Fushës së Lukovës dhe atë të Urës së Boshkut.

Lëvizja Ekologjike Qytetare “Front 21-42” kontestoi lejet mjedisore në Gjykatën Administrative, në Shkup. Vendimi u shpall më 11 dhjetor të vitit të kaluar, vendim i cili shfuqizoi lejen mjedisore për hidrocentralin e Fushës së Lukovës, por la në fuqi atë për ndërtimin e hidrocentralit të Urës së Boshkut. Vendimi nuk është ankimuar dhe, pak ditë më parë, ai ka hyrë në fuqi.

Pasojat e vendimit

Në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative, hidrocentrali i Fushës së Lukovës nuk do të ndërtohet. Në këtë mënyrë, ujërat e Lumit të Radikës nuk do të devojihen. I gjithë rajoni i Dibrës së Madhe, me luginën e lumit dhe liqenin që ai krijon në afërsi të qytetit, ka shpëtuar disi.

Por, ndërtimi i hidrocentralit të Urës së Boshkut do të sjellë devijimin tërësor të ujërave të Lumit të Vogël, që është një prej lumenjve furnizues të Lumit të Radikës. Kjo pritet të ndikojë si në prurjet e Lumit të Radikës, ashtu edhe në dëmtimin e pasurisë natyrore në Parkun Kombëtar të Mavrovës dhe të burimeve ekonomike të rajonit të Dibrës së Madhe.

Projektet energjitike të ELAM

Qeveria e Maqedonisë nuk ka për ta ndalur kurrë planin e saj për devijimin e ujërave të lumenjve të Malësisë së Sharrit, vetëm sepse rrezikohet mbijetesa e një lloj maceje të egër, apo sepse protestohet në Dibër të Madhe, ose edhe në Tiranë.

Lumi i Radikës, që buron nga Malësia e Sharrit, deri në derdhjen e tij në Lumin e Drinit të Zi, përbën një nga burimet ujore më të rëndësishme të Maqedonisë. Ujërat e Lumit të Radikës janë përdorur për krijimin e Liqenit të Mavrovës, në vitin 1949, duke krijuar edhe Parkun Kombëtar të Mavrovës. Por, ujërat e liqenit vënë në punë dy hidrocentrale dhe më pas devijohen për në Lumin e Vardarit. Rritja artificiale e prurjeve në Lumin e Vardarit mbetet jetike për Maqedoninë, pasi lugina e tij është përshtatshme për ndërtimin e 12 hidrocentraleve të tjera.

Ndërtimi i hidrocentralit të Fushës së Lukovës do të devijonte thuajse plotësisht Lumin e Radikës në drejtim të Lumit të Vardarit. Por, tashmë, ndërtimi i tij është pezulluar.

Ndërkohë, përgjatë Luginës së Radikës dhe në territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës kompania maqedonase e prodhimit të energjisë elektrike ELAM parashikon ndërtimin e 20 hidrocentraleve të vegjël, mes të cilëve edhe atë të Urës së Boshkut. Por, mënyra e funksionimit të këtij hidrocentrali ka alarmuar ambientalistët, por jo vetëm.

Efektet shkatërruese të hidrocentralit të Urës së Boshkut

Ky hidrocentral, me kapacitet 68MW, do të funksionojë vetëm 5 orë në ditë, në periudhën me kërkesë të lartë të energjisë elektrike. Diga do të mbledhë ujërat e Lumit të Vogël përgjatë 19 orëve, duke ndalur plotësisht rrjedhën e tij, do t’i lëshojë ato përgjatë 5 orëve të tjera.

Ambientalistët theksojnë se dëmi do të jetë katastrofal. Lumi i Vogël ka një prurje mesatare prej 5,7 metër kub në sekondë, ndërkohë që, përgjatë 5 orëve që do të funksionojë hidrocentrali, derdhjet do të jenë në masën 22 metër kub në sekondë. Kjo do të sjellë shtimin e prurjeve në Lumin e Radikës, me efekte katastrofike për mjedisin, për Liqenin e Dibrës, dhe për gjithë rajonin e Dibrës së Madhe. Dëmi që do t’i shkaktohet burimeve ekonomike të rajonit është i pallogaritshëm.

Bardhyl Marku, ekspert mjedisi dhe aktivist i shoqërisë civile në Dibër, duke folur për të përditshmen maqedonase “Lajm”, thotë se funksionimi i hidrocentralit të Urës së Boshkut do të sillte përmbytje të fuqishme. Marku thekson se hidrocentrali i Urës së Boshkut, përmes degradimit të Lumit të Radikës, do të sillte “shkatërrimin total të Liqenit të Dibrës, i cili rrezikohet seriozisht të shndërrohet në një kënetë gjigande.”

Rihapja e konfliktit me Tiranën

Ndërtimi i hidrocentralit të Urës së Boshkut pritet të rihapë konfliktin me Tiranën, për administrimin e ujërave ndërkufitare. Prekja e prurjeve në Lumin e Radikës do të sjellë ndryshime të ndjeshme në prurjet e Lumit të Drinit të Zi. Në këtë mënyrë, Lumi i Radikës është ‘lum ndërkombëtar’, dhe ndërhyrjet duhet të bëhen në bazë të marrëveshjes dypalëshe.

“Shqipëria duhet të reagojë edhe përmes rrugës zyrtare sepse, sipas mendimit tim, bëhet fjalë për skandal diplomatik, duke pas parasysh se me konventat ndërkombëtare nuk lejohet prekja e ujërave që lëvizin nga një vend në vend tjetër, pa pëlqimin ose pa ndonjë marrëveshje mes shteteve në fjalë,” – ka thënë analisti Semi Mehmeti për të përditshmen “Lajm”.

Ndërtimi i hidrocentralit të Urës së Boshkut kërkon më shumë se 85 milionë Euro dhe pjesën dërrmuese të këtij fondi, afro 65 milionë Euro, do ta akordojë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

N. H.