Protestuesit rikonfirmuan vendimin të qëndrojnë tërë natën para Gjykatës Kushtetuese, në Shkup, ndonëse situata është e qetë. Lideri i LSDM dhe i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili gjendet mes protestuesve, tha se "kundërprotesta është një akt i pafytyrë dhe absurd i atyre që e udhëheqin vendin për të grindur popullin njëri me tjetrin."
"Gjykata Kushtetuese duhet t'i mbrojë ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Protesta do të jetë e qetë, ndërsa të gjithë shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të veprojë drejt," – tha Zaev.
Mijëra qytetarë të organizuar nga shoqatat civile, por edhe nga LSDM, janë mbledhur sot në protestë kundër Gjykatës Kushtetuese, e cila nesër pritet të marrë vendim lidhur me faljen ose jo të mashtruesve zgjedhorë. Protesta ka nisur nga godina e qeverisë, për të vazhduar përballë parlamentit dhe më pas para Gjykatës Kushtetuese, ku, sipas paralajmërimit, do të vendosen tenda për të qëndruar aty deri nesër në shpalljen e vendimit.