Prej mëngjesit të së mërkurës janë dëgjuar tonet e larta të ligjvënësve grekë, pasi kanë filluar në Parlamentin grek procedurat për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.
Pasi ka marrë miratimin e kryetarëve të komisioneve të Parlamentit, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes diskutohet nga deputetët e të gjitha partive në një klimë të polarizuar politike.
Marrëveshja pritet të votohet deri në datën 25 Janar dhe situata që paraqitet në Parlament, ku partitë e vogla kanë filluar të shpërbëhen dhe shumë aleanca janë thyer, duket se prodhon 151 vota të shumicës së duhur për ratifikimin e saj.
Përveç 145 deputetëve të SYRIZA-s, në favor të marrëveshjes janë deputetë të POTAMI-t, Grekëve të Pavarur (ANEL) si dhe deputetë të shkëputur tashmë nga partitë e tyre.
Bëhet fjalë për një moment historik, pasi për më shumë se 26 vjet Athina dhe Shkupi nuk kanë pasur thuajse aspak dialog për të zgjidhur çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë dhe kjo ka sjellë si rezultat izolimin e IRJM dhe pengesa në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së.
Ndërsa një pjesë e mirë e opinionit publik nuk është aspak dakord me këtë marrëveshje, qeveria Tsipras, që ka filluar një fushatë informimi për të mirat e saj, beson se është një model paqeje në rajon, shembull edhe për vendet e tjera.
Megjithëse marrëveshja mund të aprovohet edhe me më pak se 151 vota, kryeministri grek kërkon që të paraqesë para grekëve, por edhe para opinionit ndërkombëtar, faktin që ratifikimi u krye me shumicën e duhur parlamentare.
Ndërkohë, Demokracia e Re që po përdor për politikën e saj opozitare pikërisht marrëveshjen, duke theksuar se kabineti Tsipras po shet historinë dhe emrin e Maqedonisë, thuhet se do të përdorë edhe “armën” e fundit që ka në dispozicion, një mocion mosbesimi për qeverinë.
Vetëm para disa ditësh, qeveria Tsipras kërkoi dhe fitoi votëbesimin e Parlamentit kur partia aleate Grekët e Pavaruar ka deklaruar se shkëputet nga koalicioni udhëheqës, për shkak se ishte kundër Marrëveshjes së Prespës.