Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar edhe 27 viktima me COVID-19 duke e çuar në 5.869 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Shtatë viktima u regjistruan në Tetovë, gjashtë në Gostivar, pesë në Shkup, nga dy në Strugë, Dibër dhe Sveti Nikollë ndërsa nga një në Kumanovë, Strumicë dhe Veles.

Sipas raportit të Institutit të Shëndet Publik, në tri javët e fundit kanë vdekur 276 persona si pasojë e koronavirusit, prej të cilëve 246 ishin të pavaksinuar dhe 30 pacientë ishin të vaksinuar ose 10 për qind e viktimave.

Sa i përket të infektuarve, raporti i Ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur për 647 raste të reja nga testimi i 4.618 mostrave.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strumicë, Manastir dhe Dibër.

Numri i rasteve aktive ka arritur në 14.360 ndërsa është njoftuar për shërimin e 403 pacientëve.