Sot mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Në zgjedhje, të drejtë vote kanë 1.808.131 votues. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991. Zgjedhje të jashtëzakonshme në tri Komunat Ohër, Dibër dhe Novosellë.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj ku pjesëmarrja e elektoratit duhet të jetë së paku 40% në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditëve pas përfundimit të raundit të parë të votimit, në këtë rast më 5 maj. Për president zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicë votash, nëse në vendvotimet kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të regjistruar, gjegjësisht 723.253 votues, që është paraparë me nenin 121, paragrafi 3 nga Kodi zgjedhor. Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë numër të nevojshëm të votave, përsëritet tërë procedura zgjedhore.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkovski, u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje të sigurojnë proces korrekt dhe demokratik zgjedhor, me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve.

Gjatë ditës së djeshme votuan 1.782 qytetarë të regjistruar që jetojnë jashtë shtetit, në 32 përfaqësi konsullore diplomatike. Po ashtu dje votuan edhe 1.640 persona ë burgosur, shtatë persona të shpërngulur brenda vendit dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar.

Dalja në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në diasporë, ku votohet një ditë para është 38.51 për qind, ndërsa në burgjet dalja është 55 për qind kanë bërë të ditur nga KSHZ. Dalje më të madhe deri dje në orën 18:30 kishte në përfaqësitë diplomatike- konsulare në Berlin (64.47%), Bukuresht (64.29%), Zagreb (61.11%) Sarajevë (61.70%), ndërsa më e vogël dalja ishte në Venecia (26.55%), Kopenhagë (30.77%) dhe Abu Dhabi (30%).

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit për zgjedhjeti OSBE /ODIHR do të ketë gjithsej 240 vëzhgues.

Asociacioni qytetarë Most zgjedhjet presidenciale do t’i ndjekë me mbi 1500 vëzhgues. Me përzgjedhje të rastësishme ata do të shpërndahen në 1160 vendvotime me çka do të mbulojnë një të tretën e vendvotimeve në vend. /Klan Maqedoni